Konfliktualiteti dhe diversiteti i Kryeministrit

25/03/2012 00:00

Skënder Minxhozi – Ka pasur një pasazh të gjatë replikash, në intervistën e fundit të Kryeministrit Berisha, në studion e Fevziut, në përgjigje të një pyetjeje të gazetarit Lorenc Vangjeli, lidhur me natyrën konfliktuale të stilit politik të kreut të mazhorancës.

Në vetvete, kjo pyetje ngërthen, ashtu siç ishte edhe simbolika e momentit të intervistës, një spektër të gjerë historik ngjarjesh, qëndrimesh, sjelljeje politike e njerëzore, marrëdhëniesh me miq e kundërshtarë, që Berisha ka lënë pas në këto njëzetedy vjetët e fundit. Si e tillë, pyetja rreth tërheqjes magnetike, thuajse patologjike që pëson zoti Berisha, drejt agresivitetit dhe tensionimit të raporteve me ata që ka përballë (ose edhe anash), prek ndoshta tiparin më të fortë të dallueshëm në karrierën e këtij politikani jetëgjatë dhe zhurmëmadh.

Për t’ju kthyer pasazheve në fjalë, nëse sheh mënyrën sesi është përgjigjur Kryeministri, kur e kanë pyetur se përse duhej të sherroset me të gjithë ata që ka pasur dhe ka konkurrentë apo kundërshtarë, do të gjesh se vetë ai, fjalën konflikt e ka zëvendësuar me termin diversitet. Pra, sipas zbërthimit të Berishës, konflikti politik shumëvjeçar mes tij dhe gjithë të tjerëve, ka qenë në fakt një shfaqje kilometrike e diversitetit të mendimit që ai ka pasur me gjithë të tjerët. Si të thuash, se ai dhe vetëm ai ka pasur të drejtë, kurse të gjithë ata që ka sulmuar, kanë qenë gabim.

Dhe kur, në vijim të intervistës, është ftuar të mos përziejë debatin dhe alternativat, me konfliktualitetin, ai ka dalë menjëherë te diversioni ndaj kundërshtarëve të tij politikë, ka atakuar edhe një herë Topin, ironizuar Ramën, i ka fërkuar shpatullat Nanos (sepse pranoi të ikte nga pushteti në 2005-n), si dhe ka siguruar opinionin publik se ka “një grusht të fortë parimesh”, nga të cilat nuk do të tërhiqet kurrë.

S’mund të thuhet se zoti Berisha nuk është i ndershëm në atë që ka për të ofruar sot për shqiptarët. Kështu ka qenë gjithmonë. Çështja është sesa përputhet kjo ofertë, e thënë ndryshe ky stil lidershipi politik, me mjedisin e sotëm shqiptar, i cili, sado arkaik, i prapambetur e problematik, ka lëvizur në mënyrë të dukshme nga gjendja thuajse natyrore ku ndodhej në hapat e para të pluralizmit, këtu e dy dekada më parë.

Ndoshta është e tepërt t’i kërkohet Berishës që të ndjekë realitetin. Karriera e tij, i ka treguar se stili i tij politik është më se i mjaftueshëm dhe i kënaqshëm për gjysmën e tij të popullit. E cila në mos qoftë realisht “gjysmë”, ka qenë gjithsesi e mjaftë për t’i ofruar atij pushtet të pakufishëm, si askush tjetër pas rënies së komunizmit. E nëse pasqyra e lëmuar e ndonjë “qibari” e tregon disi të deformuar prijësin e së djathtës, ky le të jetë një problem i pasqyrës, jo i atij vetë.

Në njëzet vjet, ai i zbrazi Nanos të gjitha epitetet negative të mundshme, akuzoi për krime të përbindshme Ilir Metën, etiketoi horra e lavire krerët më të lartë të shtetit dhe nxori skizofren e pervers kreun aktual të opozitës. A mund ta besojmë vërtet se e gjitha ka ndodhur për “diversitet mendimesh”? A ka njeri që mund ta hajë këtë hollim me ujë, që Kryeministri i bën sjelljes së tij publike, duke e shitur për “diversitet”?

Mënyra sesi zoti Berisha përballet me pyetje që prekin thelbin e qenies së tij politike e njerëzore, siç është edhe kjo e konfliktualitetit, zbulon dëshpërimisht se hapësirat për një modifikim, lëmim, korrigjim a reflektim sado milimetrik, janë tashmë të pamundura për politikanin në fjalë. Madje, është po aq dëshpërues edhe fakti tjetër, që, duke ia përsëritur pa pushim vetes se ka të drejtë në gjithçka që ka bërë dhe bën, në çdo sjellje, çdo deklaratë dhe çdo përplasje publike sado të dhunshme, dramatike apo edhe tragjike për të tjerët apo edhe për vendin, Sali Berisha është sot njeriu më i bindur në rrafshin e dheut, se vetëm ai mban monopolin e së drejtës dhe së vërtetës. Autosugjestioni te Kryeministri shqiptar ka arritur stadin e një hipnoze totale dhe të vazhdueshme. Ai jeton në çdo sekondë në “transin” që i krijon ajo që ai deklamon për të tjerët, duke refuzuar dhunshëm që të zgjohet qoftë edhe një çast të vetëm nga kjo letargji e vetimponuar. Një lloj flluske, një realitet paralel i mbushur me mijëra kilometra rrugë të asfaltuara, me miliona rrënjë ullinj të mbjella, me financa të shëndosha dhe me ekonominë më performante në botë. Por i mbushur edhe me plot armiq, të cilët i rrezikojnë pa pushim pushtetin. Natyrisht, ata që ia gjuajnë me gur këtë flluskë, duhen asgjësuar të gjithë. Por jo në emër të konfliktit, por të diversitetit. Kështu pretendon të paktën Kryeministri ynë…

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel