Gjykata rrëzon kërkesën e avokatit të Dishos

21/03/2012 00:00

Gjykata e Apelit në Korçë ka rrëzuar sot kërkesën e avokatit të Naum
Dishos, kreun e OMONIA-s së Korçës dhe ka lënë në fuqi dënimin e tij me
një vit burg.

Gjykata e Shkallës së Dytë vendosi sot lënien në fuqi të vendimit që gjykatës e rrethit Korçë dha një vit më parë, për shpalljen fajtor të dhunimit të varreve të fshatit Boboshticë. Avokati mbrojtës i Dishos ka deklaruar se do të ankimojë vendimin në Gjykatën e Lartë. Ndërkaq nuk dihet ende vendndodhja e Naum Dishos, i cili mendohet se është larguar nga Shqipëria.

Çështja e Dishos shënoi një precedentë për mosekzekutimin e vendimit të gjykatës. Naum Disho u shpall fajtor për akuzën e dhunimit të varreve në bashkëpunim dhe më 10 janar 2012 u dënua me një vit heqje lirie me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit në Korçë.

Por Disho nuk u arrestua në sallën e gjyqit, edhe pse ishte i pranishëm në momentin e shpalljes së vendimit. Disho u la i lirë, dhe vetëm dy ditë më pas, doli një urdhër i Prokurorisë së Korçës për arrestimin e tij.
Policia rajonale që u vu në lëvizje për zbatimin e këtij urdhri bëri të ditur se për disa orë nuk arriti të zbulonte vendndodhjen e kreut “Omonias” për Qarkun e Korçës, ndërsa të nesërmen, me një seancë të shpejtë gjyqësore në Gjykatën e Faktit, u vendos që arrestimi i tij të shtyhej deri më 25 janar. Shtyrje pas shtyrje të seancave gjyqësore, të urdhrave të ekzekutimit të arrestit nga ana e Prokurorisë, të qëndrimit të policisë që deklaron se nuk gjen dot vendndodhjen e Dishos, kreu i OMONIA-s vijon të mbetet i lirë. Naum Disho u shpall fajtor për akuzën e dhunimit të varreve të vjetra të Boboshticës, gjatë punimeve për ndërtimin e një memoriali në kujtim të ushtarëve grekë

Top Channel