Integrimi, Topalli pret zyrtarin holandez

19/03/2012 17:40

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua sot me drejtorin për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Holandës, Zhak Lui Verner.

Fokusi kryesor ishte tek 12 rekomandimet që Shqipëria duhet të përmbushë në mënyrë që të mund të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme holandeze, duke garantuar mbështetjen e vendit të tij për integrimin europian të Shqipërisë, u shpreh se klasa politike shqiptare duhet t’i përgjigjet më të njëjtin vullnet dëshirës së shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.

Në takimin me diplomatin holandez, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli bëri përgjegjëse opozitën, e cila sipas saj, pengoi për dy vjet me bojkotin e saj miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar.

Megjithatë, kryetarja e Kuvendit u shpreh se e shikon me optimizëm bashkëpunimin aktual mes palëve për disa nga reformat që kërkojnë 3/5 e votave.

Por, duke folur për domosdoshmërinë e kufizimit të imunitetit për deputetët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë të shtetit, që është dhe një nga 12 rekomandimet e Brukselit, zonja Topalli u shpreh se çdo kohë e humbur është e pajustifikueshme nga opozita.

Top Channel