Durrës, zjarr në një pallat, dëme materiale

14/03/2012 00:00

Një apartament në lagjen 9 të qytetit bregdetar, pranë Mauzoleumit të
Dëshmorëve është djegur plotësisht ne oret e mëngjesit në qytetin e
Durrësit.

Si rezultat i flakëve që kanë përfshirë një apartament në katin e katërt të pallatit është shkrumbuar krejt banesa, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikëseve ka bërë të mundur që flakët të mos përhapen në apartamentet e tjera. I zoti i shtëpisë bashkë me të birin janë dërguar në spitalin rajonal me probleme ne frymemarrje, ndërkohë që një pjesë e mirë e banorëve të godinës janë evakuuar për t’u kthyer në shtëpitë e tyre kur rreziku ka kaluar.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se shkak i zjarrit mund të ketë qenë një shkëndije elektrike, ndërsa elementët e djegshëm në banesë kanë ndihmuar në përhapjen e shpejtë të flakëve. Për shkak të shtesave të bëra nëpër pallate dhe ngushtimit të rrugëve ndërmjet tyre efektivat zjarrfikës e kanë pasur të vështirë të mbërrijnë menjëherë në vendin e ngjarjes duke shtuar panikun te banorët e pallatit dhe godinave përreth.

Top Channel