Pronat, ndryshon sërish ligji

13/03/2012 19:50

Qeveria ndryshoi sërish ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, një ndryshim ky që sipas kryeministrit Sali Berisha vlerëson pronën që kompensohet, tokë apo objekt ndërtimor, sipas vlerës së tregut dhe standarteve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurise së paluajtshme.

Ndryshimi i ligjit përcakton edhe një drejtori në Ministrinë e Drejtësisë, që do të koordinoje veprimet me të gjitha insitucionet e tjera, në mënyre që, çështja e komplikuar e pronësisë, siç tha kryeministri Berisha, të marre një zgjidhje sa më të mirë dhe të shpejtë.

”Nuk them se nuk ka probleme me pronën, por është bërë më shumë se kurrë. Ata që duan ta vështrojnë bardh e zi, le ta vështrojnë, por fakti është që janë qindra dhe mijëra dosje, të cilat do të trajtohen me shpejtësi, por zgjidhja e tyre nuk bëhet me shkop magjik. Lind pyetja, a mund të bëhej më shpejt? Nuk them se jo, por nuk mund të mohohet, kjo punë kolosale e bërë per llogaritjet milimetrike të mbi 500 mijë objekteve të ndërtuara. Ne synojmë t’u japim përgjigje problemeve të krijuara, problemeve të trashëguara”, deklaroi Berisha.

Çështja e ndryshimit të ligjit, për kthimin dhe kompensimin e pronave u trajtua si një problem shqetësues nga presidenti Bamir Topi, pak ditë më parë, kur akuzoi kryeministrin Berisha se për 20 vjet nuk ia ka dalë të zgjidhë këtë problem dhe se me ndryshimet e shpeshta të ligjit ka krijuar konfuzion edhe tek ekspertët më të mirë.

Kësaj vërejtjeje të presidentit Topi, kryeministri Berisha iu pergjigj pa përmendur emrin e tij, por duke përdorur qëndrimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se presidenti Topi kishte marrë në pronësi toka të klasifikuara si të kooperativës bujqësore.

”Ndonjërit që mërzitet nga aktet që shohin për pronën, u them të mos mërziten nga aktet ligjore dhe nënligjore të qeverisë, se ajo ka vazhduar dhe do vazhdojë me vendosmëri të madhe të çojë përpara zgjidhjen e problemi të pronësisë.  Ka bërë një gabim fatal, ai që ka mashtruar me dokumenta ose pa dokumenta për një gjë të tillë. Unë mora rastin konkret, në rast se është përfituar pronë, duke qenë në zemër të qytetit dhe e shpall veten kooperativist, ju them se në zemër të Tiranës, kooperativë bujqësore nuk ka patur kurrë”, akuzoi Berisha.

Mbledhja e qeverisë trajtoi edhe çështjen tjetër të debatueshme, atë të dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politike.

Vendimi i qeverisë përcaktoi datën 26 mars si kohën e nisjes së shpërndarjes për këstin e dytë të fondeve të dëmshpërblimit, gjë që sipas qeverisë e çon këtë çështje drejt zgjidhjes perfundimtare.

Për kryeministrin Berisha, këto dy vendime janë të rëndësishme në prag të 20-vjetorit të 22 marsit, ditës që demokratet festojnë çdo vit, ate që e quajnë përmbysjen me vote të diktaturës në Shqipëri.

Top Channel