Rama: Rinia dhe arsimi në krizë

27/02/2012 13:30

Problematikat që ndesh rinia shqiptare e në veçanti ato të arsimit ishin në fokusin e tryezës së organizuar nga PS në kuadër të zbërthimit të programit të lançuar nga opozita për një rilindje kombëtare.

Edi Rama u shpreh se rinia shqiptare sot është e çoroditur nga plaga e rëndë e papunësisë. Kreu i opozitës është ndalur edhe në çështjet e arsimit, duke përkrahur nismën e shoqërisë civile për zgjedhjen e drejtuesve të shkollave nga komuniteti i prindërve dhe mësuesve dhe jo degët e partisë në pushtet që janë shndërruar në zyra kuadrosh.

“Unë e pash me interes një nismë së fundmi që vjen nga shoqëria, për përfshirjen e komunitetit në përzgjedhjen e mësuesve dhe drejtorëve dhe në mbajtjen në vijimësi të një të drejte gjykimi për cilësinë e mësimdhënies për fëmijët e tyre. Kjo ka qenë pjesë e programit tonë qeverisës që në vitin 2009 dhe është edhe sot për të nisur ndryshimin e kulturës sociale në shkolla”, deklaroi Rama.

Sipas Edi Ramës, arsimi privat duhet të ndërtohet në bazë të konkurrencës dhe meritokracisë. “Politika e qeverisë për universitetin, e shqyerjes së dyerve të universiteteve dhe e shtyrjes së të rinjve në pamundësi të çdo alternative tjetër është një minë me sahat. Universitetet private shtohen çdo vit, por jashtë çdo kriteri dhe përdoren nga sistemi qeverisës. Reforma e fundit për financimin e universiteteve, për të favorizuar padrejtësisht privatin, është heqja e gurit të fundit të themelit në sistemin e arsimit shqiptar”, theksoi Rama.

Rama foli edhe për vështirësitë që ndeshet arsimi në fshat, ku mungojnë shkollat profesionale. Prandaj, theksoi Rama, janë të nevojshme këto konusltime që programi për një rilindje kombëtare të ketë sa më shumë bashkëpronarë dhe bashkëautorë. Ligji i ri për arsimin parauniversitar pritet të debatohet tashmë në komisionin parlamantar.

Në kuadër të nismave për të rinjtë, kryetari i Partisë Socialiste ishte të shtunën në Lushnje ku shpërndau kartat e anëtarësimit për 300 të rinj në Pallatin e Kulturës së këtij qyteti.

Ndërsa të premten, gjithmonë në kuadër të krijimit të mundësive të reja për të rinjtë, Partia Socialiste prezantoi strategjinë e saj për zhvillimin e sportit shqiptar.

Rama të rinjve: Merruni me politikë

Na vazhdën e takimeve me të rinjtë, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama foli para të rinjve të akademisë politike të socialiste, të cilëve u nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të rinisë në politikë.

Që në krye të fjalës Rama tha se përfshirja e të rinjve në politikë është e domosdoshme për të ndryshuar politikën, për të ndryshuar, sic tha ai, Shqipërinë. Misioni i të rinjve duhet të jetë ndryshimi i politikës:

“Të ndryshojmë politikën! Pa ndryshuar atë, asgjë nuk mund të ndryshojë. Partia Socialiste ka nevojë për të rinjtë dhe ftoj të rinjtë që bashkarisht ta bëjmë politikën atë cka është në të vërtetë. Përderisa politika merret me ju, si me ata që angazhohen, si me ata që qendrojnë pasivë duke menduar se politika nuk i prek, edhe ju duhet të merreni me politikën”, tha Rama.

Sipas Ramës, sa më e madhe të jetë përfshirja e të rinjve në politikë, aq më e vogël është mundësia e politikës për të gabuar dhe e kundërta. Kreu i PS-së, ftoi rininë të angazhohen më shumë, duke shpalosur për këtë edhe programin socialist, pjesë e programit kombëtar të Selisë Rozë, “Rilindja shqiptare”.

Top Channel