Dimri i ashpër, emergjencë në Maqedoni

08/02/2012 01:20

124 shkolla në 28 komuna në Maqedoni kanë ndërprerë procesin edukativo-arsimor për shkak të reshjeve të dëborës dhe uljes së temeperaturave. Komunat e Tetovës dhe Gostivarit kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme ndërsa mësimi është ndërprerë edhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

“Komuna e Tetovës ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe jemi në përgatitje të një rrethi edhe të qytetarëve që do na ndihmojnë përveç NPK edhe ne do jemi në gjendje gatishmërie 24 orë, sidomos për pjesën malore të Tetovës”, tha Sadi Bexheti, kryetar i Komunës së Tetovës.

Reshjet e borës që kanë kapluar Maqedoninë kanë shkaktuar aksidente të shumta, vështirësi në komunikacion dhe bllokim të rrugëve. Vetëm në rajonin e Shkupit në 24 orët e kaluara janë regjistruar 20 aksidente trafiku.Autobusët dhe trenat qarkullojnë me vonesa, ndërsa në aeroportin e Shkupit “Aleksandri i Madh” nuk po realizohen të gjitha fluturimet.

Autosdradat dhe rrugët e qyteteve mbetet pjesërisht të pastruara, ndërsa qindra banorë nëpër fshatra mbeten të izoluar për shkak të bllokimit të rrugëve nga bora.

Lidhja automoto e Maqedonisë njoftoi se për automjetet e rënda transportuese ka ndalesë në aksin rrugor Mavrovë-Dibër, Dibër-Strugë si dhe në qafën malore Strazhë.

Temperatura të ulta dhe reshje të dëborës pritet të ketë gjatë gjithë javës.

Top Channel