Studimi, stimuli i qeverisë nuk e rriti ekonominë

30/01/2012 08:20

Një studim i kryer nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë ka zbuluar se stimuli fiskal i zbatuar nga qeveria në disa raste gjatë viteve të fundit, nuk jep efekt domethënës në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke rekomanduar se një disiplinë fiskale më e madhe mund të ndihmojë në përmirësimin e ekonomisë shqiptare.

Studimi me titull: “Politika fiskale dhe rritja ekonomike: Rasti i Shqipërisë”, ka për autorë Arlind Gjokutaj dhe Gerti Shijaku, punonjës të Bankës së Shqipërisë. Si rregull, këto studime nuk shprehin qëndrim zyrtar të BSH, por kanë vetëm qëllim studimor.

“Rezultatet e marra tregojnë që rritja e të ardhurave ka një efekt më të lartë në rritjen e prodhimit përkundrejt stimulit fiskal nëpërmjet rritjes së shpenzimeve”, – thuhet në përmbledhjen e studimit sipas gazetës ‘Shqip’.

“Impaktin e shpenzimeve dhe të ardhurave në rritjen ekonomike e kemi analizuar duke i ndarë të ardhurat tatimore, në: shtrembëruese dhe joshtrembëruese. Ndërsa shpenzimet, nga ana tjetër, i kemi ndarë në: shpenzime publike produktive dhe joproduktive. Ndarja e këtyre zërave në nënkategori konfirmoi rezultatet e mësipërme”, – thonë më tej autorët.

Stimuli

Qeveria shqiptare u zu në vështirësi gjatë vitit 2009, kur kriza ekonomike dhe financiare botërore mbërriti në vendin tonë, ndërkohë që ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës po kushtonte dy herë më shumë nga sa qeveria pati vlerësuar. Për të mbuluar faturën e rrugës, qeveria mori borxhe në një ambient ndërkombëtar shumë të vështirë dhe me interesa të larta dhe deklaroi se kjo masë qe një stimul për ekonominë në kohë të vështira.

Por ky stimul që rriti borxhin publik me shpejtësi nuk dha ndonjë ndikim të ndjeshëm në ekonomi. Stimuj të ngjashëm janë ndërmarrë edhe në të shkuarën, veçanërisht në prag zgjedhjesh, kur shpenzimet publike rriten. Studimi i BSH thotë se rritje të tilla të shpenzimeve publike, në fakt nuk janë të vlefshme dhe nuk shkaktojnë rritje domethënëse të ekonomisë. Përkundrazi, BSH zbulon se kur qeveria i mbledh më mirë taksat dhe mban disiplinë financiare, duke mos shpenzuar më shumë nga sa ka mundësi, atëherë ekonomia rritet.

Gjatë vitit 2010 p.sh., qeveria mbajti disiplinë financiare dhe pavarësisht kësaj, vendi përjetoi rritje ekonomike të kënaqshme. Ndodhi e kundërta në vitin 2011, kur qeveria e liroi rripin, por ekonomia eci shumë dobët.

Në studim u analizua edhe efekti i borxhit publik në ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto. “Një zvogëlim i borxhit publik do të sjellë efektet pozitive në terma të rritjes ekonomike. Ndërsa, në rastet kur financimi i investimeve publike bëhet me anë të huamarrjes, kjo sjell më shumë efekte të ‘crowding-out’ sesa të ‘crowding-in’”, – thonë ekspertët e BSH.

Shkaku i efektit të dobët të shpenzimeve buxhetore në rritjen e ekonomisë lidhet veçanërisht me numrin e vogël të përfituesve nga investimet publike, shkallën e ulët të qarkullimit të mëtejshëm të këtyre parave të shpenzuara në ekonomi dhe normën e lartë që zënë importet dhe fitimet e transferuara jashtë vendit në projektet e ndërtimit të rrugëve, ku përfundon shumica e “stimulit fiskal” të qeverisë.

Kur ndërtohet një rrugë, vlerësohet se 30 për qind e kostos përbëhet nga nafta e importuar, ndërsa zëra të rëndësishëm janë makineritë e lëndët e tjera të para, gjithashtu të importuara, gjë që në fakt japin rezultat negativ te Prodhimi i Brendshëm Bruto.

Top Channel