Gardistët, Fakti i la në arrest shtëpie

25/01/2012 00:00

Tre të akuzuarit e prokurorisë për 21 janarin u paraqitën në gjykatën e shkallës së parë në Tiranë, për t’u njohur me masën e sigurisë.

Seanca gjyqësore e ngarkuar për ish-komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendi dhe shoferin e tij Margarit Kume, ka zgjatur vetëm pak sekonda, pasi avokatët respektivë nuk bënë asnjë kërkesë për ndryshimin e masës në këtë shkallë të gjyqësorit.

Sipas mënyrës që kanë zgjedhur për të mbrojtur klientët e tyre, ia kanë lënë Apelit për të shprehur edhe pretendimet në lidhje me dyshimet e ngritura nga prokuroria.

Por, ish-komandanti i gardës, që nga ekspertiza e FBI-së rezulton se ka qëlluar shtetasin Faik Myrtaj, me anë të avokatit të tij Genc Gjokutaj bëri një deklaratë publike duke u shprehur se në 21 janar mbrojti institucionet nga dhuna, duke lënë të kuptohet se nuk e pranonte fajësinë.

“Dua të bëj me dije se gjeneral Prendi ka qenë në mbrojtje të një institucioni kushtetues, i ngarkuar me ligj, nga një sulm i padrejtë. Përshëndes vendimin e prokurorisë për të kërkuar heqjen e imunitetit të organizatorëve të protestës dhe shpresoj që të vazhdojë në këtë rrugë”, deklaroi Gjokutaj.

Ndërkohë që avokati i specialistit të IT-së në kryeministri, Armando Kasaj, praktikoi një tjetër lloj mbrojtjeje nga dy të parët. Kasaj nuk e pranoi fajësinë, duke u shprehur se, nuk kishte fshirë asnjë material në serverin e kryeministrisë.

Sipas mbrojtjes, ai kishte dalë në orën 23 e 30 minuta nga kryeministria, ndërsa fshirja është bërë më vonë. Ai pranoi që kishte bërë kopjime të filmimeve sipas procedurës, të cilat i kishte dërguar në zyrën që përcakton rregullorja. Gjykata për të tre të akuzuarit la në fuqi arrestin shtëpiak.

Top Channel