Struktura e re e Policisë

08/01/2012 16:00

Struktura e Policisë së Shtetit mund të pësojë një ndryshim rrënjësor në të ardhmen, në bazë të një projekti të hartuar nga grupi i politikave policore.

Gjatë një interviste dhënë për ‘Shqip’, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka sqaruar se propozimi është hedhur për ndryshimin nga 12 drejtori policie, një për çdo qark të vendit, do të reduktohet në pesë drejtori rajonale.

Në veri të vendit do të ketë, sipas këtij projekti, vetëm një drejtori, ajo e Shkodrës, që do të mbulojë edhe prefekturat Kukës, Lezhë dhe Dibër.

Në zonën juglindore të vendit do të jetë ajo e Elbasanit që do të mbulojë edhe prefekturen e Korçës.

Një tjetër drejtori në jug do të jetë edhe ajo e Fierit, e cila do të mbulojë qarqet Berat, Gjirokastër e Vlorë.

Kryeqyteti do të ketë drejtorinë e saj, pa varësi Kavajën, e cila do t’i shtohet drejtorisë së Durrësit.

Ndërkohë që Durrësi, Kukësi dhe Gjirokastra, do të kenë drejtori të Policisë Kufitare.

Ndryshimi i strukturës policore aktualisht është ende në fazën e diskutimeve, ku pritet mendimi i të gjtha drejtorive ekzistuese, kjo për faktin se reduktimi i drejtuesve të policisë do të çonte në humbjen e gradave një numri prej 1 mijë e 800 punonjësve, çka me ligjin ekzistues reflektohet direkt në pagë.

Vetëm pas të gjithë këtyre diskutimeve, drejtoria e përgjithshme e policisë mund t’i drejtohet Parlamentit për ndryshimin e ligjit për Policinë e Shtetit.  

Top Channel