Prokuroria: Akuzë përfaqësuesit të familjes Toptani

27/12/2011 00:00

Prokuroria ka ngritur akuzën e falsifikimit të dokumenteve ndaj
përfaqësuesit ligjor të familjes Toptani, Qemal Mulla, i cili dyshohet
se ka përdorur këto shkresa për të fituar pronësinë e truallit prej 275
hektarësh në Hamallaj të Durrësit, të cilat u fituan më parë nga familja
e Skerdilajd Konomit, gjyqtarit të vrarë në Vlorë.

Hetimet kanë përcaktuar se Mulla ka përdorur disa tapi të vjetra, dukshme të falsifikuara sipas akuzës, të marra në Arkivin e Shtetit, dhe i ka depozituar në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, madje i ka përdorur në gjykatë e prokurori për të fituar proceset gjyqësore dhe hetimore me trashëgimtarët e familjes Shallavari. “Nga ekspertimi i dokumenteve që disponojnë trashëgimtarët e familjes Toptani, në lidhje me një pronë prej 275 hektarësh në Durrës, ka rezultuar se ato janë false dhe janë përdorur nga përfaqësuesi i kësaj familje, Qemal Mulla. Ky person ka dhënë shpjegime në prokurori kohë më parë për këto dokumente, duke pretenduar se ato janë origjinale”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme, të cilat saktësojnë se i kanë dërguar disa fletëthirrje këtij personi për t’i komunikuar statusin e të “pandehurit”.

Fletëthirrjet

Grupi hetimor që po verifikon problemet e pronave të familjes Shallavari, ku bëjnë pjesë edhe familjarët e gjyqtarit të vrarë Skerdilajd Konomi, kanë zbardhur të gjitha dokumentet dhe konfliktet e pronave të Hamallajt. Pas diskutimit të çështjes në Prokurorinë e Përgjithshme, drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës kanë përcaktuar se ndaj përfaqësuesit ligjor të familjes Toptani, Qemal Mulla, të ngrihet akuza e falsifikimit të dokumenteve. “Këtij personi i janë dërguar disa fletëthirrje për t’u paraqitur në prokurori. I është dërguar një korrier te banesa për t’i komunikuar paraqitjen në prokurori, por ende ky person nuk është paraqitur”, thanë burimet nga akuza qendrore, sipas të cilave në drejtim të Qemal Mullës janë dërguar tri fletëthirrje. “Kemi marrë informacionin nga familjarët e tij se Mulla ndodhet jashtë vendit.

Po presim mbërritjen e tij në Shqipëri për t’i komunikuar akuzën”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pohon se hetimet për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi po zhvillohen paralelisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dhe nuk ka lidhje me këtë çështje. Sipas tyre, procedimi penal në Prokurorinë e Tiranës është regjistruar para vrasjes së gjyqtarit, ndërsa Qemal Mulla, përfaqësuesi i familjes Toptani, ka dhënë shpjegime në fillim të këtij viti.

Top Channel