Kartolina e Bodes për 2011

27/12/2011 00:00

Përkundër vlerësimeve pesimiste të ndërkombëtarëve qeveria është e
bindur se ekonomia shqiptare u rrit me 3.9 për qind gjatë vitit 2011, më
shumë se një vit më parë.

Ministri i Financave Ridvan Bode tha se mbyllja e vitit ka konfirmuar plotësisht pritshmëritë e qeverisë.

“Do të vazhdoj përderisa kam konfirmime të tilla. Edhe konfirmimi i fundit që kemi marrë nga INSTAT-i është 3.9 përqind”, tha Bode.

Zoti Bode tha se edhe financat publike janë nën kontroll dhe se qeveria e respektoi kufirin e deficitit buxhetor.

“Edhe pse kemi qenë skeptikë në mbylljen e vitit 2011 konform parametrave të autorizuar në korrik, nisur nga të ashtuquajturat 2 përqind mosrealizim të të ardhurave të buxehtit të shtetit, po ju them se buxheti do të respektojë atë autorizim që kemi marrë nga parlamenti që të mos tejkalojmë huamarrjen e brendshme, deficitin buxhetor, për shumën e autorizuar për 3.5 përqind që është një shifër totale prej 48 miliardë lekësh”, tha Bode.  

Kreu i Financave citon raportet e fundit të dy kompanive prestigjoze, që vlerësojnë borxhet e qeverisë “Moody’s” dhe “Standard & Poor’s”, si treguesi më i qartë i stabilitetit të ekonomisë shqiptare.

“Këto dy vlerësime përbëjnë kartolinën me urimin më të bukur që ekspertët dhe institucionet financiare ndërkombëtare ia adresojnë shqiptarëve në prag të Vitit të Ri, për ekonominë e tyre dhe për shpresat e tyre të pakufishme për një mirëqënie dhe begati më të madhe në periudhën afatmesme”, tha Bode.

Top Channel