I përplas automjeti, vdesin dy të rinj

23/12/2011 18:35

Një aksident rrugor më pasojë vdekjen e dy të rinjve është regjistruar pasditen e së premtes në aksin Lezhë-Shkodër.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave një makinë tip “Benz” ka përplasur një tricikël ku udhëtonin dy të rinjtë, njëri prej të cilëve ka gjetur vdekjen në vend, ndërsa tjetri pak më vonë në spital.

Të paktën këtë herë, policia ka arritur të ndalojë dhe të shoqërojë në komisariat drejtuesin e automjetit, shtetasin Mërgim Llazani, 50 vjec.

Në ditët e fundit në vend janë regjistruar një seri aksidentesh, të ndodhura kryesisht si pasojë e lagështirës dhe ngricave të krijuara në rrugë nga reshjet.

Në fillim të javës një aksident ndodhi në aksin Elbasan-Librazhd, në vendin e quajtur Mirakë, ku një mjeti tip “Benz” me targa të Elbasanit u përpals me një fuoristradë.

Si pasojë e përplasjes së mjeteve mbeti i vdekur në vend shtetasi Ibrahim Shabani, 38 vjec, i cili ishte pasagjer në mjetin me targa të Elbasanit.

Ndërkaq, të plagosur mbetën dy drejtuesit e mjeteve, Aleksander Buda dhe Petrit Qosja, si dhe tre pasagjerët që udhëtonin në mjetin tip fuoristradë, Sokol Qosja, Elvis Kraja dhe Fatjon Boshnjaku.

Nga mbikëqyrjet e kryera në vendin e ngjarjes nga shërbimet policore rezultoi se lagështira në rrugë kishte stimuluar aksidentin.

Po ditën e hënë, gjatë orëve të pasdites, një tjetër aksident i rëndë ndodhi përgjatë aksit Korcë-Ersekë, ku një mjet doli nga rruga duke shkaktuar një viktimë dhe një të plagosur.

Drejtuesi i mjetit, shtetasi Klodian Dauti, 31 vjec, humbi jetën si pasojë e goditjes, ndërsa 32-vjecari Hysni Nuredini, i cili ishte duke udhëtuar me të njëjtin mjet, u shoqërua për në spitalin rajonal të Korcës.

Policia shkoi në vendngjarje për të hetuar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit, por edhe këtu rezultoi se rrëshqitja kishte ardhur si pasojë e lagështirës.

Top Channel