“Politika jashtë nga arsimi”

22/12/2011 21:35

E mbetur shpesh në rolin e konstatuesit të problemeve, shoqëria civile duhet të marrë përsipër më shumë përgjegjësi dhe një rol me të rëndësishëm.

Dhjetra intelektuale, nëpunës dhe drejtues organizatash shoqërore, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane, janë bashkuar në lëvizjen shoqërore “Alternativa Civile” e cila synon angazhimin e kapaciteteve intelektuale, të mbetura në hije si pasojë e rritjes së vazhdueshme të kontrollit të politikës mbi shoqërinë.

“Kjo skemë e kontrollit të të gjithë jetës shoqërore nga ana e politikës ka lënë mënjanë dhe ka neglizhuar kapacitete intelektuale, ka lënë mënjanë dhe neglizhuar energji të mëdha njerëzore duke shterur edhe vetveten nga prodhimi i ideve dhe alternativave. Me moton ‘Mos thuaj duhet bërë, por bëj dhe ti dicka’, Alternativa Civile ka për qëllim prodhimin e nismave dhe ideve në shërbim të përmirësimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, thotë Mentor Kikia, i bashkuar “Alternativës Civile”.

“Alternativa Civile” publikoi edhe nismën e parë ligjore, atë të sanksionimit në ligjin për arsimin parauniversitar të praktikës që zbatohet në shumë shtete perëndimore, të zgjedhjes së drejtuesve të arsimit dhe drejtuesve të shkollave me votë nga komuniteti i mësuesve dhe organizatat e prindërve.

“Drejtori i Arsimit të qytetit apo rrethi të zgjidhet me votim nga komuniteti i mësuesve të kësaj njësie qendrore. Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e plotësuara nga ligji dhe trajnimet e nevojshme që kërkon posti, kandidaturat nuk duhet të jenë të propozuara nga forcat politike apo sindikata, por të jenë individuale, mandati i drejtorit nuk duhet të jetë më shumë se katër vjet. Një propozim tjetër, në këtë rast, për drejtorin e institucionit arsimor, zgjedhja e tij të bëhet nga komuniteti i prindërve të nxënësve”, tha diplomati, Dritan Hila.

Figura të shquara të arsimit si profesorët Shezai Rrokaj dhe Mahir Hoti, anëtarë të kësaj lëvizje, mbështeten këtë nismë e cila do t’i nënshtrohet një diskutimi të gjërë dhe do t’i propozohet Ministrisë së Arsimit.

“Propozimi është shumë i saktë”, vlerësoi profesori, Shezai Rrokaj.

Sipas “Alternativës Civile”, sanksionimi i kësaj praktike do të zbehë ndikimin e politikës mbi sistemin arsimor, i cili me ndërrimin e pushteteve bëhet viktimë e shkarkimeve masive të arsimtarëve dhe emërimin e të tjerëve mbi kritere politike.

Në këtë takim u prezantua edhe programi i kësaj lëvizje, pjesë e të cilës është një tjetër nismë ligjore e rëndësishme, si ajo për kufizimin e numrit të mandateve të të zgjedhurve vendore deri në dy.

Top Channel