Ulja e taksave, refuzon mazhoranca

20/12/2011 00:00

Maxhoranca rrëzoi në kuvend nismën e Partisë Socialiste për të ulur taksat mbi disa nga produktet me jetike të konsumi.

Përpara votimit, ekspertët e të dy palëve janë përplasur në debate të nxehta, këtë herë jo vetëm politike, por edhe profesionale. Fillimisht ishte Mimi Kodheli ajo që në emër të opozitës sqaroi se pse kjo masë është e domosdoshme, për të mbrojtur familjet e varfëra.

“Propozimi ynë për heqjen e TVSH-së për miellin,grurin, bukën, vezët, qumështin është një propozim që buron nga rëndesa që ka sot në buxhetin familjar pagesa e këtyre produkteve. Eshtë e bazuar në faktin që ushqimet bazë të shportës konsumatore, përbëjnë më shumë se gjysmën e buxhetit të familjave më të ardhura të pakta apo mesatare”, tha Kodheli.

Por Florjon Mima, një nga drejtuesit e reformës tatimore të demokratëve në mandatin e parë, tha se ky propozim shkatërron sistemin tatimor.

“Një nga pasuritë që ka Shqipëria është sistemi i saj me bazë të gjerë prej njëshkallësh. Sot kemi një tentativë për ta shkatërruar këtë aset që ne e fusim tek gjërat më më vlerë në emër të dhimbsurisë për cmimet e larta”, tha Mima.

Qeveria përmes Ministrisë së Financave tha se heqja e TVSH-së nuk do favorizonte të varfërit, por një tjetër shtresë

“Kjo iniciativë nuk do të kishte asnjë ndikim në uljen e cmimeve të produkteve te të cilat projekti synon t’i bëjë zero apo 10 përqind, apo 6 përqind. Benefiti do të shkonte për importuesit e këtyre produkteve dhe do të dëmtonte rëndë edhe operatorët që këto produkte i operojnë në projektin vendas”, tha përfaqësuesi i Ministrisë, Alfred Rrushaj.


Nisma e Partisë Socialiste, që është edhe pjesë e programit të saj qeverisës, parashikon heqjen e tatimit të vlerës së shtuar grurin, miellin, bukën, qumështin dhe vezën. Ndërsa për një grup tjetër ushqimesh si vaj, sheqer dhe orizi socialistët kërkojnë që tvsh të ulet nga 20 në 10 për qind.Nisma e propozuar hiqte tatimin e vlerës së shtuar edhe për ilacet, ndërsa për energjine e ulte atë nga 20 në 6 për qind.   

 

Top Channel