BE mbyll projektin për biznesin e SME-ve

10/12/2011 08:15

Pas dy vjet trajnimesh, sondazhesh dhe studimesh të shumta, falë financimit të Bashkimit Europian, tashmë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund të ecin të vetme në rrugën e konkurrencës të tregut perëndimor, bën të ditur gazeta ‘Shqip’.

Ceremonia e mbylljes së projektit u zhvillua të premten, ku ishte i pranishëm edhe zv/ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, i cili falënderoi aktorët që punuan dhe mundësuan realizimin e objektivave.

Ministria nuk bën të ditur vlerën e projektit, por shton se, falë financimeve të shumta u bë e mundur hartimi i një raporti të detajuar i nevojave për trajnim për SME-të, duke intervistuar 250 kompani dhe duke evidentuar nevojat konkrete të tyre në mbështetje të zhvillimit të inovacionit.

Tashmë janë rreth 190 menaxherë, përfaqësues të SME-ve si dhe 70 individë që ofrojnë shërbime konsulence për SME-të, të cilët kanë përfituar nga projekti IPA 2007. Referuar strukturës së SME-ve aktive për vitin 2010, mikrondërmarrjet përbëjnë 95.7% të numrit total të ndërmarrjeve aktive, ndërmarrjet e vogla 3.5%, ndërmarrjet e mesme 0.7%, dhe ndërmarrjet e mëdha zënë vetëm 0.1%.

Zbatimi i Parimeve të Aktit të Biznesit të Vogël (SBA) përbën një nga marrëveshjet më të rëndësishme të axhendës së Komisionit Europian për zhvillimin e SME-ve jo vetëm për vendet anëtare të BE-së, por edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Top Channel