Artan Mullaj  – U duk se Bashkia e Tiranës do të ishte strehëza e rrëfimit, pendimit dhe
ngushëllimit, ndërsa vit pas viti në pushtet, mazhoranca e Sali
Berishës mbart kryqin e rëndë të mëkateve në shpinë.

Viti ‘97! Gërdeci! 21 janari! Korrupsioni i frikshëm në vend! Rrënimi ekonomik! Varfëria ekstreme! Rrëmbimi me thonj i Bashkisë së Tiranës etj., etj. Mbas gjithë këtyre mëkateve, është normale që mazhoranca të kërkojë energji të re për të pastruar së paku imazhin e nxirë. Prandaj u duk se do të ishte në logjikën dhe përndritjen e gjërave që Kryetari i ri i Bashkisë të krijonte një model të ri qeverisjeje, që do të ishte i ndryshëm nga ai i Berishës. Madje më normale akoma do të ish që Berisha, i cili i katranosi dhe gjakosi njëherësh dy duart dhe dy mandatet e tij, të kujdesej edhe vetë ai që të paktën Bashkia e re të ishte një strehëz morali, sa për imazh. Dhe më shumë se normale, madje e ngutshme, do të ishte krijimi me ngut i një strategjie shpirtërimi për Bashkinë, që kjo të mos ngjante si bijë e përdalë e qeverisë, ashtu si babai i alkoolizuar ngutet të shpëtojë birin e tij nga vesi i të pirit.

Për këto arsye pritej një ndershmëri e re nga ana e pushtetit, qoftë edhe formale, qoftë e regjisuar, për t’i dhënë kështu publikut një shpresë për një qeverisje vendore të mirë, të moralshme.

Për shkak se në përshtypjen e përgjithshme, mandati i Kryetarit të Tiranës u vodh ditën për diell nga Berisha, ky moralitet do të ish aq më shumë i nevojshëm për të nxjerrë në pah një dukuri të pandodhur kurrë më parë gjatë tranzicionit, që është “vrasja kolektive e ndërgjegjes”.

Vrasja e ndërgjegjes së mazhorancës për historitë e këqija të së shkuarës, në qendër të të cilave ka qenë përherë Sali Berisha! Reflektim për vitin ‘97, ndjeshmëri për Gërdecin, kokulje për 21 janarin, përgjakja e të cilit spërkati shtetin dhe pushtetin me gjithë kryetarin e ri të Bashkisë.

Moralitet i një pushteti do të thotë vullnet për t’u ndarë nga e shkuara e për të bërë më në fund disa punë të mira publike në të mirën e qytetarëve. Do të thotë integritet dhe përkushtim profesionistësh në betejën fisnike të mbajtjes së premtimeve. Të jesh i moralshëm në politikë, do të thotë të arrish, të synosh, të pranosh, të vlerësosh gjithë çka rrotull teje ka nevojë për pushtetin tënd dhe ndershmërinë tënde. Kaq kërkohej nga Basha, që si një i përzgjedhur i përzotshëm të lehtësonte peshën e kryqit në shpinën e tij dhe të tjerëve.

Por duket se kjo, vrasja kolektive e ndërgjegjes, nuk mund të ndodhë. A ka diçka të re në qeverisjen e Tiranës, siç u premtua, e aq më pak, siç u shpresua nga mbështetësit e saj? Të gjithë e kemi ende para syve Lulzim Bashën gjatë fushatës elektorale. Si një Guliver, si një hero mëngëpërveshur, me zemër në dorë, trokiti derë në derë, dhe zemër më zemër, dhe shpirt më shpirt, me buzëqeshjen e tij të pashlyeshme. I pa njerëzit në sy dhe në rrudha, i ndjeu, e ndjenë, u rrëmbeu dëshpërimin e lodhur dhe u premtoi gjithçka. Punë, paqe, drejtësi, gjelbërim, legalizim, zhvillim, ndjeshmëri. Premtoi si politikan dhe u betua si një engjëll. U rrëmbeu vëmendjet. Ishte një bir pranë tyre. Ishte si një hije e dhembshur, me një shkop magjie në dorë. Ishte një flakë e pandezur akoma që do të shpërthente për qytetarët. Por nëse nuk ishte zjarr, ishte prush që do të shuhej njëlloj për ata. Do të digjej e do të shuhej për hirin dhe të mirën e tyre.

Por çfarë bën dhe nuk bën sot Bashkia e Tiranës? Pas mesnate shpëlahen disa rrugë, një herë po, një herë jo, sa për imazh. Po mblidhen plehrat e koshave që as janë shtuar e as janë pakësuar, por janë ndryshkur më shumë. Po vijnë vërdallë policët bashkiakë e po prishin disa shtëpi, të ligjshme e të paligjshme. Po pastrohet deri në fund administrata e mëparshme nga ish-nëpunësit e bashkisë. Ç’gjë tjetër ka veç propagandës si kor zhabash në televizionet e zhuzhurisë që mbështetin qeverinë dhe Bashkinë? Bardhësinë e frikshme të fytyrës së kryebashkiakut në ekrane dhe podiume! Por asgjë për legalizimet e shtëpive të qytetarëve. Ku janë pronat e hipotekuara që premtoi kryebashkiaku se do t’i bënte me shpejtësinë e dritës? Ku janë legalizimet? Çfarë bëhet realisht për sigurinë e ushqimeve. Asgjë! Thjesht jepen disa rroga më shumë për besnikët e Partisë dhe LSI-së. Ç’bëhet për lirimin e hapësirave publike? Ndëshkohen vetëm mbështetësit e kundërshtarëve. Ç’po bën Bashkia për fëmijët dhe pleqtë. Ku janë shkollat e reja dhe sheshet e moshës së tretë? Askund! I vetmi shesh ku u vu dorë, është Sheshi i Skënderbeut. U fijëzua! Ishte si petull, u bë si kadaif. U bë lesh! Qytetarët përpëliten prej pështjellimit kur udhëtojnë në këtë shesh, me pemë, policë bashkiakë dhe sinjalistikë të çorientuar. Për të shkuar ku duan u duhet të bëjnë tetë kthesa si teta. Si në labirinte, sheshi të kujton “Pallatin e Ëndrrave” të Kadaresë, ku sillej vërdallë Ebu Qerimi. Ngaqë Skënderbeu duket si qiraxhi i ndruajtur në mes të havasë, sheshi rreth tij duket sikur ndjell mbërritjen e një përbindëshi kobzi në qytet. Formë e çmendur, si shenjat në ditarin e djallit. Asimetri! Abukuri! Amodesti. Pllakaqe të vëna shtrembër, harqe konturesh me të cilat do të qeshnin edhe lindorët tej Lindjes. Nuk ka hyrje, nuk ka dalje, nuk ka vijëdrejtëzime dhe as kënde të drejta. Mbretëron lakueshmëria, si shprehje-dëshmi e mungesës së personalitetit. Në çdo kryqëzim të këtij sheshi, shumë policë bashkiakë marrin rrogë për të drejtuar lëvizjen që nuk ka radar e semafor në botë ta drejtojë.

Shëmtimi i sheshit përfaqëson në njëfarë mënyre shkatërrimin e vizionit. Përfaqëson një model dhe ngre në qiell të vërtetën e hidhur se Tirana ka rënë në duar të gabuara. Tirana ka nevojë për njerëz që së paku mund ta kuptojnë të bukurën. Vështirë të gjesh të tillë në administratën e Bashkisë së Kurbanit. Bashkia ka militantë dhe xhelozë shpirtërorë që hakmerren ndaj paraardhësve të tyre, që shkatërrojnë të bukurën pikërisht sepse paraardhësit e tyre e ndienin dhe e donin të bukurën. Në palcën e saj, administrata është një miksim me shkulme e babëzi militantësh. Administrata e bashkisë jo vetëm nuk e kupton dhe ndien bukurinë! Ajo thjesht nuk e do! Më thjesht akoma, ajo nuk mund ta prodhojë atë. Sepse e bukura është veçori e shpirtrave që krijojnë, që dinë të provokojnë frymëzim te vetja dhe te të tjerët. Një shesh është pak për të thënë këtë gjë, por zhgënjimi i qytetit është shumë për të mos e besuar këtë gjë. Një re e zezë që avitet nga lindja po pushton qiellin e lirë të qytetit… Sot askush nuk pret të ndizen fishekzjarrë për premtime të mbajtura dhe punë të mira. Arritje nuk ka. Rezultate nuk do të ketë. Bashkia nuk është më inteligjente se qeveria, sepse kryebashkiaku nuk është më i ndershëm se Kryeministri. Shans i humbur! Faktet tregojnë se Bashkia është gjithashtu një aktivitet privat i familjes tjetër. Në Bashkinë e Tiranës shkelen hapur edhe vrazhdë ligjet, sepse këto ligje nuk janë më gjemba për këmbët e tyre. Me kunetër, kunata, kushërinj e komshinj që janë gjithmonë pranë tyre, pranë parave, pranë dobësisë për të pasur, pranë tenderëve të Bashkisë, pranë babëzisë, pranë neverisë, pranë shëmtisë, pranë padurimit për të rrëmbyer gjithë çka ka mbetur pa marrë, shefat e Bashkisë e kanë humbur aftësinë për të manipuluar vëmendjen. Janë shtuar mjekërzinjtë. Janë zbehur ngjyrat. Shkëlqen korrupsioni njëlloj si në qeveri. Në qytet janë shtuar divorcet, krimet, vetëvrasjet, lajthitjet. Lumturia nuk buron më nga lufta për ta pasur atë. Njerëzit janë të papunë. Njerëzit nuk kanë motivim! Ky është imazhi, kjo është Tirana, e para, e thara. Nuk është e lehtë të kuptosh që erërat fryjnë në anën e kundërt, velat janë çuar gabim! Bukuria e shëmtuar, Kurbani, siguria e paqenë, këto janë sentimentet që provokojnë sot dinamikën blu të zhvillimit të qytetit, që nuk është zhvillim. Është qullësi! Bashkia është thjesht një sportel financiar i qeverisë private të mazhorancës. Është një pararojë e dështimit. Është dëshmia e pasojave fatale që sjell shkatërrimi i administratës, ndërsa ekipe të specializuara me ekspertë dhe drejtues të përgjegjshëm u zëvendësuan me turma militantësh që e kanë zaptuar Bashkinë e kryetarit si karkalecat e thatësirës pushtojnë rrugët në verë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel