Pavarësia, festë në Selanik

27/11/2011 12:10

Emocion të veçantë ka përcjellë interpretimi i himnit tonë kombëtar nga tenori i shquar Kastriot Tusha në një ceremoni të organizuar nga konsullata e Shqipërisë në Selanik, me rastin e përvjetorit të 99 të Ditës së Flamurit.

“Është një nder i madh për mua t’i uroj të gjithëve festën e të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Riza Poda, konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në Selanik.

Të ftuar në ceremoni përfaqësi të trupave diplomatike të huaja, miq dhe dashamirës të vendit tonë.
 
“Me rastin e festës suaj kombëtare do të doja të jepja urimet më të mira për popullin shqiptar dhe emigrantët shqiptarë që punojnë në Greqi”, tha Thanos Kotsionis, drejtori i shërbimit të Ministrisë së Jashtme greke.

“Pi për shëndetin e popullit mik shqiptar dhe për pavaresinë e tij. Të jeni gjithnjë të fortë, ecuri të mbarë në të gjitha sfidat që përballoni”, uroi Stathis Gizis, investues grek në Shqipëri.

“Me rastin e festës kombëtare të Shqipërisë i uroj të gjithë popullit shqiptar gëzuar festën”, tha Dumitru Hrituleac, konsull i përgjitshëm i Rumanisë.
 
Ishin të pranishëm gjithashtu edhe autoritetet lokale greke.
 
“Është një festë kombëtare. Për mua nuk është vetëm një detyrim të uroj, por edhe gëzim sepse kam punuar me shqiptarët. Megjithëse jam vlleh, prejardhja ime është nga Voskopoja, kështu që kam një lidhje të veçantë me Shqipërinë”, u shpreh Joannis Butaris, kryetari i Bashkisë së Selanikut.

Ceremonia festive ka kaluar në një atmosferë tepër të ngrohtë dhe miqësore dhe u ka dhënë mundësi emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Selanik dhe rrethinat e tij të shkëmbejnë urime të përzemërta.
 
Dy dekada plot me sprova për mbijetesë dhe më pas për integrim. Së fundmi, përballja me krizën më të madhe ekonomike që po kalon vendi, sfida tjetër e radhës për komunitetin shqiptar në Greqi. Sot, duke lënë pas për pak orë çdo gjë, ata japin urimet më të mira për festën kombëtare, megjithëse ndodhen larg atdheut të tyre.

Top Channel