Korrupsioni si kapje e shtetit dhe kapje e mendjes

21/11/2011 00:00

Shqetësimi dhe interesimi gjithnjë në rritje i publikut për korrupsionin
ka sjellë si rezultat një volum të gjerë kërkimesh skolareske mbi këtë
subjekt.

Në Shqipëri duket sikur të gjithë dinë gjithçka në lidhje me korrupsionin e problemi është vetëm si “ta luftojmë”. E nga ana tjetër, tentativat për përfitime shihen fatkeqësisht edhe te mësuesit e shkollave fillore. Një shembull domethënës ky, që dërrmon optimizmin tonë për të pasur ndonjëherë në këtë vend një sistem të drejtë shoqëror.

Zakonisht korrupsioni zhvillohet fshehtazi ndaj dhe sjellja e faktorëve të korruptuar është pothuaj e pamundur të vëzhgohet në jetën e përditshme. Karakteri i rryshfetkërkuesit ka të gjitha cilësitë e duhura si sharmi, talenti për të aktruar dhe për të krijuar një imazh, në dukje identik, por të ndryshuar të së vërtetës, (p.sh.: imazhin e një aktori, llogari mbajtësi, ndërmjetësuesi, etj.) për të kuptuar e manipuluar rregullat dhe rregulloret, por edhe aftësinë për t’u mbrojtur, p.sh.: të një kujdestari. Një situatë e tillë e bën më të vështirë dallimin mes “I shtyrë nga nevoja” dhe “I shtyrë nga lakmia”.

Fushatat kundër korrupsionit nuk kanë pasur shumë sukses. Ky është një zhvillim shqetësues. Kur pjesa më e madhe e njerëzve i kryejnë aktivitetet nën një sistem të tillë, individët nuk kanë stimuj për t’u përpjekur ta ndryshojnë këtë sistem apo për t’iu shmangur këtij sistemi.

Korrupsioni është një lloj veprimtarie strategjike, ku dy apo më shumë aktorë, marrin përsipër një marrëdhënie shkëmbimi, duke kryer një transfertë të suksesshme parash (materiale), apo pushteti (politik apo statusor), apo promovimin e prejardhjes (gjenetike), e cila nuk lejon që marrëdhënia të rregullohet nga ligjshmëria, virtyti apo humanizmi. Me përqendrimin e pasurisë së vënë në mënyrë të paligjshme, në duart e disa personave të papërshtatshëm, shfaqet një model konsumi i shtrembëruar. Shumë e kanë mësuar këtë nga imitimi dhe kjo prodhon këtë gjendje dinamike të kërkimit të ryshfetit dhe dhënies së ryshfetit.

Ai është baza e shumë krimeve të tjera. Ky krim social shkakton plagë që nuk duken shumë te personi-viktimë. Të gjithë mekanizmat, nën një sistem të korruptuar, qëndrojnë kështu në fije të perit, p.sh.: mbarëvajtja familjare, blloku i banimit, grupi dhe shoqëria, pra bashkëjetesa sociale.

Korrupsioni kërcënon popujt dhe qeveritë e tyre. Ai i bën të padrejta shoqëritë. Është argumentuar se mitëmarrja është një ryshfet i negociuar dhe zanafilla e të gjitha veprave të paligjshme dhe tiranisë. Ajo është një mjet i fuqishëm padrejtësie e mizorie, sepse mitëmarrja i shkatërron të dyja: besimin dhe shtetin. Ja përse pasojë e rëndësishme e korrupsionit nuk është vetëm Kapja e Shtetit, por edhe Kapja e Mendjes. Fenomeni i kërkimit të ryshfetit pushton mendjen njerëzore dhe e largon atë nga detyrat e dobishme.

Korrupsioni është universal. Ai është i pranishëm në vendet e zhvilluara dhe në vendet në zhvillim, në zyrat e sektorit publik apo privat, si dhe në organizatat joqeveritare apo bamirëse. Zhvendosja nga qeverisja në administratë, vetëm sa i ndryshon vendbanimin.

Pasojat e kërkimit të ryshfetit dhe dhënies së ryshfetit mund të shihen në shpërndarjen e të ardhurave, në modelet e konsumit (në çdo shtresë shoqërore) dhe në lindjen e tregut të zi.

Korrupsioni luan rol kryesor në politikë, pra në objektivat e shtetit. Kërkimi i ryshfetit dhe dhënia e ryshfetit janë pengesat kryesore të ndryshimit të planifikuar për shtresat ekonomike. Një premtim demokracie mbetet i parealizuar. Kësisoj, ai lejon ndryshimin selektiv në ciklin ekonomik të një individi, të familjes së një individi, apo të biznesit.

Shqetësimi i medias mbi korrupsionin është i kuptueshëm, sepse ai është një komoditet i tregtueshëm masivisht, duke qenë se media e kupton etjen e përgjithshme të publikut për të parë personalitete të rëndësishëm në situata të sikletshme. Media mund ta ketë sjellë në qendër të vëmendjes këtë brishtësi të përbashkët njerëzore dhe po kështu, mendohet se ka kontribuuar pa dashje në përhapjen e sjelljes korruptive. Nuk është kryer asnjë studim për të kuptuar efektin e medias në përhapjen e këtij fenomeni apo në ndihmën për reduktimin e tij.

Ky mbetet një vëzhgim i përmbledhur teorik më së shumti, gjithsesi shumë nga termat e përdorur në formë përfundimesh janë të diskutueshme. Ajo që tashmë dihet me siguri, është që: Progresi ekonomik do të mbetet i paplotë dhe iluziv deri sa teoricenët e ekonomisë t’i adresohen këtij krimi. Shqiptarët, padyshim kanë shumë për të studiuar në këtë fushë.

Gazete “Shqip”

Top Channel