Blushi: PS u kthye në rrugën e duhur

05/11/2011 19:50

Deputeti socialist Ben Blushi e ka komentuar me nota pozitive kongresin e PS, i cili sipas tij ka treguar se partia më e madhe e opozitës ka filluar të mendojë si duhet.

“PS sot tregoi që ka filluar të mendojë dhe kjo nuk është pak për një parti, që në 3 vitet e fundit ka dëshmuar një vakum idesh. Ky është një kthim tek idetë, pavarësisht se vonë. Kemi pasur aksion, por jo mendim”, ka deklaruar Blushi.

“Në heshtje, sot PS ka nënkuptuar se kjo është rruga, e ideve që kontribuojnë në politikë, jo e protestave në rrugë, djegia e makinave, etj. Kështu afrohemi më shumë me shqiptarët”, ka theksuar ai.

Sipas tij, me idetë dhe parimet e diskutuara sot në kongres dhe me dhënien fund të bojkotit, PS ka marrë vendimet e duhura për të filluar nga e para.

“Më vjen mirë që shumica e gjërave për të cilat kam luftuar brenda PS sot janë realizuar. Që nga nevoja për një program që sot u realizua, që nga nevoja për t’u kthyer majtas, nga nevoja për të zgjidhur problemet e varfërisë, nga nevoja për të shtyrë ekonominë shqiptare në një ekonomi më të drejtë dhe nga nevoja për një program ekonomik që të tregojë se e drejta nuk blihet me para”, ka nënvizuar Blushi.

I njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj lidershipit të PS-së, ai ka vlerësuar se, shumë gjëra për të cilat është folur në dy vitet e fundit, sot janë asimiluar.

“Shqiptarët kanë shumë arsye për të na besuar në vitin 2013. Deri atëherë ka shumë punë për të bërë. Shqiptarët mund të jenë skeptikë ndaj nesh për ekonominë, varfërinë, korrupsionin, shëndetësinë, etj. Ka shqiptarë që kanë arsye për të na parë me lupë, por deri në 2013-ën diferenca jonë me qeverinë do të duket hapur”, ka pohuar Blushi.

“Sot jemi shkëputur nga një rrugë radikale dhe kemi hyrë në një rrugë që flet për cdo familje, për varfërinë dhe që i shton kontributin ndaj shoqërisë atyre që kanë më shumë mundësi. Kjo e bën më të lehtë zgjedhjen e shqiptarëve në 2013-ën”, është shprehur deputeti.

Ai ka shtuar më tej se Partia Socialiste duhet të ndjekë një model politik evropian, duke u afruar sa më shumë me qytetarët, të cilët sipas tij përbëjnë aleancën më të mirë.

“Ne duhet të ndjekim një model politik evropian. Një nga arsyet që ne s’kemi pasur një bilanc të mirë elektoral në zgjedhjet e fundit është mungesa e koalicioneve. Ky program që është në embrion mundëson koalicionin me më shumë shqiptarë, që është më mirë se të bësh koalicion me më shumë parti”, ka shtuar Blushi.

Top Channel