Gjendet një varkë e anijes turke “Reina 1”

24/10/2011 00:00

Një traget i linjës Trieste-Durrës ka pikasur në det të hapur një varkë me logon e anijes turke “Reina 1”.

Varka e shpëtimit u zbulua nga trageti “Filipos”, ndërkohë në vendngjarje ka shkuar edhe fregata turke që ka rinisur kërkimet për marinarët e zhdukur.Po ashtu në zonë kanë shkuar edhe mjete lundruese të Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Nuk ka informacion nëse ka apo jo trupa të marinarëve në varkën e “Reina 1”.

Ndërkohë gjatë ditëve të kaluara janë kryer kërkime të vazhdueshme në det për tetë të zhdukurit e aksidentit detar pas përplasjes se anijes “Reina 1” me tragetin e pasagjerëve “Ankara”.

Te vetmit të mbijetuar nga tragjedia janë kapiteni i anijes Ahmet Sojturk dhe oficeri i dytë i saj Ahmet Bal.

Mbytet anija turke, 8 të humbur

Anija tregtare “Reina 1”, me flamur maltez dhe me pronësi turke u përplas nga trageti i linjës Durrës-Bari në orën 00:50 minuta te mengjesit te se enjtes. Anija e cila raportohet se po transportonte drithë drejt portit Bar të Malit të Zi, sipas dëshmive paraprake ka manovruar për të shmangur aksidentin, por më pas është goditur në pjesën fundore të saj nga trageti Ankaraja në bordin e të cilës ndodheshin 169 pasagjerë.

Trageti nuk ka pësuar asnjë dëmtim thonë dëshmitarët, ndërkohë që anija tregtare është fundosur brenda 2 minutave. Tronditja e fortë në tragetin me 169 persona në bord dhe pamja e anijes që mbytej ka tmerruar pasagjerët që kanë kërkuar ndihmë.

Emrat e marinarëve që shpallen të humbur, nuk bëhen të ditur pasi anija “Reina 1” i kishte të regjistruar marinaret vetëm në vendin e nisjes dhe në destinacion, ndërkohë që nga një dokument që Top Channel disponon anija “Reina 1” ka qenë në Portin e Durrësit për të shkarkuar drithë në muajin qershor.

Aktualisht ekspertët flasin për një gabim njerëzor, ndërkohë që do të jetë kutia e zezë e anijes që do të zbardhë komunikimin e mundshëm mes drejtuesve të dy mjeteve që u përplasen rreth 20 milje larg brigjeve të Durrësit. Në anije konfirmohet se ndodheshin 10 shtetas turq, më i riu një ndihmës/marinar i vitlindjes 1989.

Prokuroria e Durrësit ka nisur menjëherë verifikimet paraprake proceduriale duke dërguar dy prokurore në spitalin ku mbahen dy të mbijetuarit. Por pyetja e tyre nuk është bërë e mundur pasi njëri prej tyre është në gjendje shoku, ndërsa kapiteni ka probleme shëndetësore në mushkëri.

Top Channel