Sequi në “Top Story”: Përse BE refuzoi Shqipërinë

13/10/2011 00:00

Një dite pas raportit kritik të Brukselit, që la sërish “në klase” Shqipërine, në ”Top Story”, Ambasadori i Komisionit Europian, Ettore Sekui, shpjegoi përse për të dytin vit radhazi na mbyllen dyert e Europës.

Në një intervistë të gjatë në studion e Sokol Ballës, ambasadori
shpjegoi se ku çalon Shqipëria dhe se çfarë ndyshon me raportin e
2010-s. Ai e cilësoi këtë 2011-n si një vit të “humbur”, vendosi gishtin
e përgjegjësisë mbi qeverinë, por edhe opozitën jobashkëpunuese, ndërsa
kritikoi zgjedhjet e 8 majit si “jashtë standarteve”. Sequi nuk harroi
pa përmendur protestat tragjike të 21 janarit, edhe ato si përgjegjëse
për këtë “veto kundër” nisjes së negociatave të integrimit për
Shqipërinë.

Sequi mbi refuzimin

”Shqipëria ka një potencial të madh, ajo dhe populli i saj meriton të ecë përpara. Pyetja është si? Shqipëria bëri kërkesë për antarësimin në 2009-n, prandaj Komisionit iu bë për herë të parë kërkesë për një vlerësim në vitin 2010. 12 janë priotitetet kyçe. Në një vit, nisja e bisedimeve nuk u bë e mundur. Në këtë progres raport të ri, tregohet vlerësimi konkret dhe mënyra se si duhet të punojë vendi juaj në të ardhmen për të arritur pikat e kërkuara. Fakti që disa vende të tjera të rajonit e morrën statusit e vendit kandidat, nuk është një standart i dyfishtë që i ofrohet Shqipërisë. Kjo do të thotë se ky grup vendesh e ka bërë më mirë detyrat e tij të shtëpisë dhe ka avancuar përpara jush. Në progresraportin, fajësohet “polirazimi i tejskajshëm i politikës” dhe ngërçi i saj si përgjegjës kryesor për këtë refuzim. Protestat e 21 janarit dhe zgjedhjet e 8 majit kanë ndikuar edhe më tej në këtë polirizim të dëmshëm. Për zgjedhjet, progres raporti thotë se pavarësisht një dite votimi të qetë, procesi në tërësi ishte jashtë standarteve. Thelbi, pavarësisht arsyeve, është që Shqipëria nuk ka bërë përpara drejt realizimit të kushteve, sidomos pesë prioritetet kyçe, që janë politike. Për t’i shpjeguar, e para është sigurimi  i parlamentit funksional dhe një dialog konstruktiv mes partive. E dyta, kalimi i ligjeve që kanë nevojë kalimin me shumicë të cilësuar, që lidhen me disa çështje të rëndësishme, të përputhjes së ligjeve shqiptare me ato europiane. Depolitizimi i administratës, transparenca në emërim e punës, fuqizimi i shtetit ligjor, pavarësia e institucioneve gjyqësore, zbatimi efikas i strategjisë së korrupsionit, heqja e pengesave për njerëzit me fuqi politike dhe fuqizimi i luftës së krimit të organizuar, janë të gjitha të përfshira në këto pesë pika”.

Sequi për korrupsionin

”Progres-raporti thotë rreth korrupsionit në nivelet shtetërore se është bërë një përparim i kufizuar. Kuadri ligjor dhe struktura e duhur ekziston, por problem mbetet zbatimi i ligjit. Rezultatet nuk janë të mjaftueshme. Fushata për ndërgjegjësimin e popullësisë sapo ka filluar. Nuk ka një histori të fortë të ndjekjes së çështjeve nga Gjykatat, duke dekurajuar njerëzit që të denoncojnë këtë fenomen. Korrupsioni për Shqipërinë mbetet i përhapur në të gjitha sferat, por mundësitë për përmirësim janë të gjitha. Kjo është diçka që progresraporti e nënvizon. i rëndësishëm është vullneti i duhur në zgjidhjen e këtyre çështjeve”.

Sequi për Kuvendin dhe rregulloren

Sequi: Qeveria duhet të lehtësojë situatën, të krijojë një situatë më gjithëpërfshirëse dhe opozita të jetë më gjithëpërfshirëse. Integrimi është dhe duhet të jetë i perceptuar dhe menduar si prioritet kombëtar. Komisioneri Fyle e shpjegoi në mënyrë të qartë dhe të fuqishme. Integrimi duhet të jetë prioritet kombëtar. Nuk është naive, është praktike. Parlamenti është ambienti ideal ku duhen trajtur problemet e ku duhet folur. Sa për paktin për integrim, mendoj se ajo që është pozitive është se unë degjoj disa politkanë nga palë të ndryshme që flasin gjithnjë për pakt. Një sinjal tjetër pozitiv ishte ai i 5 shtatorit kur opozita vendosi të kthehet në parlament. Fakt pozitiv është edhe për rregulloren e parlamentit, ku po flitet për adoptimin e rregullores së parlamentit europian. Kthimi i opozitës në parlament është një sinjal pozitiv të cilat sic e thashë. Dihet që duhet punuar në rregulloren e Kuvendit që mund të përmirësohet. Sinjali pozitiv do të ishte dicka tepër praktike, një përpjekje brenda parlamentit për të diskutuar se si duhet zbatuar në mënyrë konkrete nëpërmjet një plani veprimi për 12 rekomandimet. Gurë-gurë bëhet mur, por duhet të përdorim edhe ato tulla që ndërtojnë ura.

Për mundësinë e marrjes së statusit kandidat në dhjetor

Sequi: Shtetet anëtare, pra këshilli i ka kërkuar komisionit që të paraqesë këtë dokument (progress-raporti). Nuk mund të them që nëse do të ketë ecuri, përparime apo shenja të rëndësishme që Këshilli do të japë statusin e vendit kandidat, nuk mund të flasim për këtë, por ajo që është e sigurtë është se nëse sinjalet pozitive jepen gjatë kësaj periudhe komisioneri Fyle dhe Këshilli do të marrin në konsideratë sinjalet. Kjo varet nga klasa politike shqiptare.

Sequi për median

Sequi: Fyle foli për prioritetet për integrimin që ishte edhe liria e medias, liria e shprehjes nuk mund të ketë transformim të vërtetë pa patur liri të medias. Liria e shprehjes është e përmendur qartë në raport-progresin. Liria përgjithësisht respektohet, pavarësisht që nuk ka patur progres domethënës.

Në fund të fjalës së tij, ambasadori i BE-së, Sequi foli për 21 Janarin, që e quajti një ngjarje trishtuese, zgjedhjet në Tiranë, ku vlerësoi pjesëmarrjen dhe iu shmang komenteve për mbarëvajtjen e tyre si dhe incidentin me punonjësen në Bashkinë e Tiranës. Për këtë të fundit, Sequi tha se nuk mund ta komentojë pasi janë duke u zhvilluar hetime.

Top Channel