Top Show, “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”

29/09/2011 00:00

Libri i “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”,  botuar së fundmi dhe që mban autorësinë e Spartak Ngjelës, njëkohësisht kryetar i Partisë Ligj dhe Drejtësi, ishte shkaku i takimit të radhës në Top Show.

Në panel ndodhej vetë autori i librit, zoti Spartak Ngjela, i cili që në fillim të fjalës së tij, sqaroi se synimi i tij me shkrimet e hedhura në këtë libër, nuk ishin botimi i një libri me karakter kujtimesh, por një libër me karakter historik.

Ngjela tha se në libër shpaloset këndvështrimi i tij për kohën e monizmit, periudhë në të cilën u përndoq politikisht. Ai evidentoi figurat kryesore të udhëheqjes, si Enver Hoxha, Mehmet Shehu e Hysni Kapo dhe shtoi se në libër paraqiten më të detajuar lojërat politike mes tyre.

Sipas Ngjelës, shoqëria shqiptare historikisht ka vuajtur për burra shteti që të ngrenë këtë vend dhe se edhe në ditët e sotme vendi rrezikon në një formë a në një tjetër, tiraninë.

Ndërkohë, i ftuar në studio ishte edhe Henri Cili, drejtor i gazetës “Mapo” dhe botues i librit “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”. Zoti Cili deklaroi se botimi i këtij libri nuk bëhej për cështje marketingu por si një detyrim për gjithë shoqërinë shqiptare.

Duke paralizuar me aktualitetin, kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, lidhur me reformat që ka nevojë vendi, vuri theksin tek ndryshimet kushtetuese. Sipas tij, nuk duhet lënë kurrësesi posti i Presidentit të Republikës në dorë të kryeministrit Sali Berisha.

Top Channel