Eni Vasili – Intervista e fundit televizive e Kryeministrit të vendit
dukej se pati si qëllim kryesor t’u jepte përgjigje zërave se mazhoranca
refuzoi të dialogonte me opozitën pas propozimeve të saj për një pakt
kombëtar për aspiratat europiane të Shqipërisë dhe sqarimin e qëndrimit
të mazhorancës për pika të veçanta, por edhe për frymën e paketës.

Duke shprehur aprovimin për më pak se gjysmën e pikave të kësaj liste sugjerimesh siç i quan opozita, apo kushtesh siç i quan Kryeministri Berisha, ky i fundit ishte i qartë në qëndrimin e tij për të mos ndarë pushtet me opozitën sa u takon sidomos disa prej institucioneve kryesore, për të cilat në paktin për Shqipërinë europiane opozita parashtroi kërkesën për zgjedhje konsensuale të emrave drejtues të tyre.

Me arsyetimin se modeli i zgjedhjes me konsensus dypalësh në vitin 2002 rridhte si detyrim i pranimit nga faktori ndërkombëtar i zgjedhjeve me shumë problematika, Kryeministri shprehu qëndrimin e tij se këto kërkesa janë jashtë kohe dhe ngjarjet zhvillohen në një kontekst krejtësisht të ri politik.

Në një pamje të parë të këtyre deklarimeve është thuajse e pamundur të pohosh se mazhoranca nuk i refuzon opozitës listën e paktit “Për një Shqipëri si e gjithë Europa”. Me një titull mbi listën e propozuar, që evokon grumbullimet masive të post ‘90-s dhe moton ulëritëse të shqiptarëve “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, opozita po kërkon me insistim t’i kundërvihet fort tezës së mazhorancës, se është pikërisht ajo fajtore nëse më 12 tetor Shqipëria dështon së dyti në marrjen e statusit të vendit kandidat.

Dhe në këtë pikë opozita ka të drejtë ose të paktën gjysmë të drejtë. Ajo s’mund të jetë fajtorja e vetme dhe as përgjegjësja e vetme në këtë padrejtësi që klasa politike po i bën një aspirate të shprehur qartë nga shqiptarët këtu e 20 vite më parë.

Sigurisht që në ato 12 pika të Brukselit mazhoranca ka përgjegjësitë e saj jo vetëm për mospërmbushjen e tyre, por edhe për faktin që s’ka prodhuar terrenin e nevojshëm të dialogut me opozitën.

Por mosorganizimi në kohë dhe hapësirë i opozitës duket se e kanë destinuar atë të mbajë faturën publike të këtij dështimi. Edhe nëse opozita do t’i kishte votuar ligjet me 35, ka shumë gjasa që vendimi për marrjen e statusit të mos mbërrinte, pasi në listë si mosarritje ka edhe çështje të tjera që nuk kanë nevojë për votën e pakicës për t’u listuar si të tilla.

Por opozita, e trembur nga disa arritje të rëndësishme të mandateve të kësaj qeverie, si anëtarësimi në NATO apo liberalizimi i vizave, preferoi të mos rrezikonte për t’i dhënë qeverisjes një mundësi tjetër mburrjeje, këtë radhë me asistencën e saj. Por njëkohësisht i dha mundësinë mazhorancës të gjente edhe mënyrën për të shmangur përgjegjësitë nga vetja.

Nëse pakti do t’i ishte dorëzuar në kohën e duhur, të paktën në këtë fillimshtator, të gjithë do të kishim mundësinë t’i kthenim sytë e kritikës drejt mazhorancës për mungesën e vullnetit për dialog pa e përfshirë aspak opozitën në këtë diskutim. Ndoshta reagimi i saj ndaj paketës opozitare do të kishte qenë i njëjtë, por sot nuk do ta kishte aq të thjeshtë të tregonte me gisht fajtorin. Me moskoordinimin e saj kohor me ngjarjet, opozita i dha mazhorancës një atu të fortë për ta riquajtur minuese të interesave europiane të vendit.

Parë nga këndvështrimi i mazhorancës, mund të thuhet se opozita i krijoi asaj për të disatën herë komoditetin e gjetjes së fajtorit edhe për fajet që duhet t’i rëndojnë asaj vetë, aq sa qeverisjes tashmë nuk i intereson më dialogu opozitar. Me humbjen e mundësisë për marrjen e statusit të vendit kandidat, mazhoranca humb edhe interesin për dialog me opozitën për sa kohë si në 2 vitet që shkuan, ajo mund të qeverisë me votat e saj.

Në këtë pikë duket se palët iu rikthyen marrëdhënies së tyre gati të pamundur, ku pikëtakimi është gati teorik.

Duke zgjedhur rrugën e moslëshimit dhe dorës së fortë përgjatë dy viteve, Kryeministri Berisha verifikoi në zgjedhjet e tetë majit se kjo ishte një strategji e duhur elektorale për të.

Duke mos i dhënë opozitës asnjë mundësi fitoreje sado të vogël në përpjekjet e saj për transparencën e zgjedhjeve, ai arriti ta lodhë e demoralizojë aksionin opozitar deri në gati paralizimin e tij.

Panorama rezulton të jetë pesimiste për adhuruesit e dialogut dhe paqes politike në vend. I tillë nuk u duk megjithatë ambasadori amerikan, i cili i quajti 10 pikat e paraqitura nga opozita si inkurajuese, duke cilësuar si “fajtore” për dështimin të dyja palët.

Mbetet për t’u parë se cili do të jetë pikërisht roli i ndërkombëtarëve në nxitjen e dialogut mes palëve, kur këto të fundit e humbën edhe një herë shansin për të krijuar të paktën imazhin e një klase politike konstruktive për interesat europiane të vendit. Nuk do të ishte çudi që deri në 2013-n të mbizotërojë kjo klime e diçkaje të mbetur pezull. E njëjta klimë jo dialogu, e cila bashkë me vështirësitë ekonomike do të përbëjnë shtyllën e gjykimit elektoral të shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme.

Gazeta “Shqip”

Top Channel