Për një model zhvillimi real, jo elektoral

29/09/2011 00:00

Ilir Barjaba – Prej një viti flitet për një model të ri ekonomik që
Shqipëria duhet të ndjekë për t’u bërë një vend i zhvilluar.

Njëkohësisht, Kryeministri ka shpallur sfidën e tij për një Shqipëri të zhvilluar deri në vitin 2017. Megjithatë, për momentin, kjo mbetet vetëm një fiksion kryeministror. Pra, një objektiv, i cili nuk merr në konsideratë pikëndodhjen e Shqipërisë në trajektoren e zhvillimit ekonomik. Vendi është ende larg parametrave të një vendi të zhvilluar. Prandaj, transformimi nga një ekonomi në zhvillim në një ekonomi të zhvilluar nuk mund të ndodhë si me magji. Aq më pak në një hark kohor prej 6 vitesh. Nuk ka asnjë përvojë botërore që të sugjerojë këtë mundësi. Duke diagnostifikuar ekonominë shqiptare në stadin e sotëm, do të ishte ambicioze të pretendonim një “Shqipëri të Zhvilluar” vetëm pas dy dekadash. Sepse për të transformuar ekonominë tonë nevojitet shumë punë dhe një seri reformash në kuadër të një modeli zhvillimi real që t’i përshtatet aktualitet dhe kontekstualitetit të ekonomisë. Nuk bëhet fjalë për reforma rregullatore e legjislative, të cilat mbeten në letër, por për reforma që, përveç legjislacionit, reformojnë funksionalitetin e ekonomisë. Më poshtë do të parashtroj disa ide, të cilat i gjykoj të domosdoshme në rrugën drejt Shqipërisë së zhvilluar. Duhet përmendur gjithashtu se në Shqipëri nuk ka ardhur akoma koha të bëjmë zgjedhje doktrinale në lidhje me zhvillimin ekonomik, nuk e kemi këtë luks. Vendi vuan për reforma praktike më shumë se sa për variacione ideologjish që nuk përkthehen dot në realitetin tonë. Stadi aktual në të cilin ndodhet vendi imponon qe modeli i ri ekonomik të synojë me realizëm për të kuruar sektorët e ekonomisë reale.

* * *

Modeli i ri ekonomik: Rritje ekonomike plus zhvillim plus teknologji të reja

Në kuadër të zhvillimit të ekonomisë, Shqipërisë i duhet një model i ri ekonomik. Modeli i dy dekadave të para të tranzicionit ka shërbyer jo mjaftueshëm për ambiciet e një Shqipërie të zhvilluar. Ky model, edhe kur ka prodhuar rritje ekonomike, nuk e ka “përkthyer” atë në zhvillim dhe akses për shoqërinë në tërësi. E them këtë sepse rritja ekonomike është shoqëruar paradoksalisht me rritje të papunësisë. Për më tepër nuk është ulur niveli real i varfërisë, në sinkron me atë që pritej të sillte një rritje ekonomike e tillë. Pra, nuk ka pasur progres social. Një rritje ekonomike, e cila nuk “përkthehet” në zhvillim i vlen një pakice, por jo shumicës së shqiptarëve, as Shqipërisë së zhvilluar. Në këtë kontekst, mbetet imperative që modeli i ri ekonomik të trajtojë si përbërës të veçantë “rritjen ekonomike” dhe “zhvillimin ekonomik”.  Rritja ekonomike është rritja e vëllimit të prodhimit, pra rritja e GDP-së. Ndërsa zhvillimi ekonomik nuk është vetëm një proces sasior, por edhe një ndryshim cilësor. Më konkretisht, zhvillimi ekonomik prodhon përmirësime në treguesit themelorë të shoqërisë, si cilësia e edukimit publik, niveli i shërbimit shëndetësor, jetëgjatësia mesatare e popullsisë, ulja e varfërisë, ulja e papunësisë etj. Që të arrihen këto përmirësime cilësore sociale, është e nevojshme që rritja ekonomike e gjeneruar Ò«çdo vit të investohet për zhvillimin e sektorëve të ekonomisë. Për fat të keq, kjo nuk ka ndodhur, sepse qeveritë kanë ndjekur shtigjet që çojnë drejt  Shqipërisë elektorale, jo drejt Shqipërisë së zhvilluar.  Buxheti i shtetit është përdorur si “kalë beteje” për qëllime elektorale në vepra infrastrukturore, në ato zona ku partia qeverisëse ose ka dashur të shpërblejë ose të parablejë votuesit e saj. Ndërkohë, janë lënë në harresë sektorët e ekonomisë reale. Pra, “ekonomia reale” është sakrifikuar për “politikën reale” të klasës qeverisëse. Kjo klasë ka shpalosur deri tani një mentalitet makiavelist, duke e implementuar qeverisjen si një “armë të ftohtë” për betejat elektorale. Qeverisja është vënë në shërbim të zgjedhjeve dhe jo zgjedhjet në funksion të qeverisjes, siç ndodh në çdo demokraci funksionale. Pas çdo palë zgjedhjesh, Kryeministri i bën thirrje administratës për betejën e ardhshme elektorale. Në Shqipërinë e sotme nuk ka prioritete ekonomike, por ambicie të ethshme për pushtet. Ky model qeverisjeje është deficitar në ushqimin e interesave afatgjatë të zhvillimit dhe e ka sfilitur vendin, në vend që ta zhvillojë atë. Prandaj, rritja ekonomike nuk është “përkthyer” në zhvillim të shoqërisë, por kryesisht në shtimin e llogarive bankare të një pakice “sipërmarrësish elektoralë”. Të cilët shijojnë rritjen ekonomike të vendit dhe e përdorin një pjesë të produktit të saj për të financuar fushatat elektorale të partisë qeverisëse.

Në modelimin e ri të sjelljes ekonomike, sidomos në kuadër të rritjes së GDP është e rëndësishme të analizojmë fillimisht çfarë zotërojmë ne si ekonomi kombëtare. Për këtë, balanca e sasisë së punës me kapitalin është një ndër treguesit kryesorë që duhet të orientojë politikëbërjen. Aktualisht, ekonomia shqiptare zotëron më shumë sasi pune sesa kapital në qarkullim. Kjo lind nevojën për të identifikuar mënyra inteligjente për të shtuar sasinë e kapitalit që investohet në ekonomi. Kjo do të sjellë rritjen e frekuencës së inkubimit të bizneseve të reja. Mënyra e duhur për ta bërë këtë, do të ishte promovimi i teknologjive të reja në ekonominë kombëtare. Për këtë, në planifikimin e buxhetit afatgjatë të qeverisë, zhvillimi i këtyre teknologjive duhet të jetë prioriteti i prioriteteve. Është domosdoshmëri që të ardhurat publike të mbështesin zhvillimin e teknologjive të reja në fazën e tyre të parë. Por, për këtë nevojitet që qeveria të mos shpenzojë 140 milionë euro për një Parlament të ri, apo 220 milionë euro për të shkurtuar me 20 minuta distancën kohore Tiranë-Elbasan. Pra, edhe me këtë buxhet modest që zotëron Shqipëria, mund të nxitet hyrja e teknologjive të reja në ekonomi. Por kjo detyron që buxheti të mos  përdoret sipas mendësisë populisto-elektorale. Modeli i ri ekonomik duhet të jetë në funksion të “Shqipërisë së Zhvilluar” dhe jo të “Shqipërisë elektorale”. Implementimi i teknologjive të reja në ekonomi mbetet imperativ në rrugën drejt zhvillimit.

Zhvillimi i bujqësisë: Ekonomitë e Shkallës dhe Banka Agrare

Siç e kam përmendur edhe në analiza të tjera në faqet e kësaj gazete, bujqësia është një sektor shumë i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare. Kjo jo vetëm për shkak të kontributit në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto, i cili është rreth 17%, por më shumë për faktin se gjysma e popullsisë siguron bazën e të ardhurave nëpërmjet këtij sektori. Prandaj, nuk mund të flitet për një ekonomi të zhvilluar pa i gjetur më parë një kurë dhe vizion tjetër zhvillimi sektorit bujqësor.

Aktualisht, bujqësia është tejet e prapambetur. Sipas INSTAT, për periudhën 2000-2008, PBB është rritur mesatarisht me 6.1% ndërsa sektori i bujqësisë vetëm me 3.85%. Pas rënies së komunizmit, toka bujqësore u privatizua. Politikat liberalizuese të tregut bujqësor çuan në shpërbërjen e 550 ish-fermave bujqësore, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 560.000 hektarësh. Për rrjedhojë, sot bujqësia shqiptare është e segmentuar në ferma të vogla, me një sipërfaqe mesatare prej afro 1.3 hektarësh. Shifra 1.3 ha është një mesatare tepër e vogël dhe ka diktuar pamundësinë për të aplikuar në prodhimin bujqësor, atë që në ekonomi quhet “ekonomitë e shkallës”. Zakonisht, në veprimtaritë prodhuese, me shtimin e vëllimit të prodhimit reduktohen, në përpjesëtim të drejtë me të, edhe kostot e prodhimit. Por madhësia, e thënë ndryshe vogëlsia, e fermave shqiptare nuk lejon prodhimin në nivele të larta për njësinë e fermës. Prandaj është e detyrueshme që sektori bujqësor të orientohet drejt njësive prodhuese me madhësi mesatare 30 apo 40 herë më të madhe se mesatarja e tanishme për të përfituar nga aplikimi i “ekonomive të shkallës”. Në këtë kontekst, diku nga Shtatori i 2010, Ministria e Bujqësisë deklaronte se kishte nisur të hartonte një projektligj për krijimin e fermave bujqësore. Pra, nuk është se qeveria nuk e njeh këtë limit të sektorit bujqësor. Megjithatë, ka kaluar pothuajse një vit dhe nisma për krijimin e fermave ka mbetur në terma abstrakte. Nuk janë këto ritmet e punës për shndërrimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar.

Ndërkohë, paralel me zgjerimin e madhësisë mesatare të fermave, duhet të mendohet për financimin e zhvillimit të sektorit bujqësor. Fermerët kanë të ardhura të pakta, të pamjaftueshme për të investuar në ngritjen e infrastrukturës së fermës.  Aktualisht bankat tregtare ofrojnë kredi, por që aplikojnë norma interesi absurde.

Një skenar për të zgjidhur problemin e financimit të fermave bujqësore do të ishte krijimi i “Bankës Kombëtare Agrare”, e cila do të fokusohej tërësisht në projekte bujqësore. Kjo bankë duhet të iniciohet nga shteti, pasi sektori privat bankar nuk është i ndërgjegjësuar për potencialin e bujqësisë. Kjo “Bankë Agrare”, duke u përqendruar tërësisht në financimin e projekteve bujqësore, do t’u mundësonte fermerëve kredi për të financuar projektet e tyre. Banka të tilla ekzistojnë në shumicën e vendeve të zhvilluara. Vërtet bankat tregtare aktualisht ofrojnë kredi për projekte bujqësore, por normat e interesit janë shumë të larta, rreth 24%. Kjo përqindje e lartë, e kombinuar me kërkesat strikte për kolateral, i bën këto kredi aspak funksionale. Prandaj “Banka Agrare” do shërbente si një bankë e fokusuar në një sektor të vetëm, me qëllim kalkulimin sa më të saktë të riskut për të ofruar kredi me norma interesi me të ulëta.

Një skenar i dytë për garantimin e kreditimit për fermerët do të ishte ngritja e fondeve private financiare të investimit, të përqendruara në sektorin bujqësor. Kjo zgjidhje kërkon veprimin e operatorëve privatë. Duke iu referuar praktikës botërore, këto fonde janë të ngjashme me format e mikrofinancimit, por ofrojnë shuma më të mëdha kreditimi, si dhe e garantojnë kapitalin e tyre, duke u marrë hua kompanive të mëdha ndërkombëtare me të cilat kanë lidhur paraprakisht kontrata furnizimi. Tipikisht, kapitali huazohet me një normë interesi 2.5-3 për qind nga kompanitë e mëdha, për t’ua huazuar më pas fermerëve me norma 12-13 për qind. Por, ky skenar mbetet më i vështirë se Banka Agrare ngaqë kërkon një emancipim të sektorit financiar për të investuar në bujqësi, si edhe për t’u integruar në skemat ndërkombëtare financiare.

Përparimi i sektorit bujqësor nëpërmjet skenarëve të mësipërm do të përmirësonte ndjeshëm sektorin bujqësor, ritmet e rritjes ekonomike në tërësi, si dhe cilësinë e jetesës së më shumë se gjysmës së popullsisë.

Sektori Bankar: Guximi për të ndryshuar kredidhënien

Në vija të përgjithshme sektori bankar është më i zhvilluar dhe më i sofistikuar se sektorët e tjerë të ekonomisë. Kjo edhe sepse shumica e bankave janë banka të huaja me emër. Megjithatë, ky sektor ka përfituar nga depozitat e shqiptarëve, por nuk ka shërbyer sa duhet për financimin e zhvillimit të ekonomisë. Në këtë sektor, konservatorizmi i tepruar për kolateral në dhënien e kredive ndërthuret mrekullisht me abuzimin në procedurat kredidhënëse. Në pamje të parë duket sikur konservatorizmi aty ku s’ka kolateral dhe liberalizmi aty ku ekziston kolaterali janë kontradiktorë. Përkundrazi, këto dy diagnostikime nuk duhen parë si reciprokisht përjashtuese, pra që prania e njërës të mohojë tjetrën.

Kryefjalë e sistemit bankar ka qenë gjithnjë siguria. Pra, të jepen kredi aty ku ekziston kolaterali për të mbështetur kredidhënien. Por kjo është bërë duke sakrifikuar cilësinë e planit të biznesit të kredikërkuesve. Me këtë dua të them se bankat tona nuk i kushtojnë po aq rëndësi cilësisë së planit të biznesit të subjektit, sesa kolateralit të tij. Përkundrazi, bankat mbifokusohen në provat e subjektit për të garantuar kolateral. Kjo ka shkaktuar që kredia të miratohet pa asnjë mëdyshje, edhe kur një plan-biznes është mediokër, por subjekti kërkues garanton kolateral. Në anën tjetër, një plan-biznes cilësor dhe që shpalos shanse të larta për të qenë i suksesshëm refuzohet, nëse subjekti nuk arrin të plotësojë plotësisht kërkesat e kolateralit. Duke ndjekur këtë logjikë, sistemi bankar ka sakrifikuar cilësinë e projekt-bizneseve thjesht për të garantuar sigurinë në fitimet e veta. Pra, sistemi bankar është kufizuar bë vetvete dhe është shkëputur nga kontributi në ekonominë reale. Niveli prej pothuajse 17% i kredive të këqija ilustron dështimin e kësaj strategjie. Por një Shqipëri e zhvilluar  mund të mbetet për shumë kohë një ëndërr, me një sistem bankar që shëndoshet në vetvete dhe nuk riskon në favor të zhvillimit.

Një sistem bankar modern nuk mbyll sytë ndaj cilësisë së planit të biznesit. Duke vepruar kështu, sistemi bankar ka dështuar për të qenë promotor i suksesshëm i zhvillimit ekonomik të vendit. Prandaj, sistemi bankar duhet të ndërgjegjësohet se është koha për ta përqendruar vizionin kreditues më shumë te cilësia e planit të biznesit sesa te kolaterali. Thelbi i kredive është të krijojnë biznese që formësohen suksesshëm dhe jo të shkëmbehen rëndomtë me kolateral. Është imperative që Banka e Shqipërisë ta drejtojë sistemin drejt këtyre ndryshimeve.

* * *

Ajo që po ndodh aktualisht në Shqipëri është një mbifokusim i investimit të rritjes ekonomike dhe huamarrjes publike në vepra infrastrukturore, në funksion të elektoralizimit të ekonomisë dhe jo të zhvillimit të saj. Minimalisht nevojitet që qeveria të shpalosë një program të ri për zhvillimin ekonomik të vendit. Vetëm pas kësaj mund të ketë guxim, legjitimitet dhe besim publik për të na premtuar afatet e Shqipërisë së zhvilluar.

Gazeta “Shqip”

Top Channel