KLSH: Borxhi tatimor arrin 700 milionë USD

28/09/2011 04:35

Shifra rekord të borxhit tatimor dhe doganor janë zbuluar së fundmi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, raporti i të cilit është depozituar këto ditë në Kuvend.

Gazeta ‘Shqip’ bën të ditur se në fazën e zbatimit të amnistisë fiskale, ky raport dëshmon situatën kritike në dy administratat e fiskut sa i takon mbledhjes së detyrimeve të vjetra, por nga ana tjetër konfirmon vështirësinë që mbart procesi i faljes.

KLSH-ja thotë se deri në fund të vitit 2010, nga tatimet dhe doganat raportohet se është akumuluar një borxh që arrin në 71 miliardë lekë (afro 700 milionë dollarë), me një rritje prej rreth 9.2 miliardë lekë, ose gati 90 milionë dollarë. Të ndara sipas institucioneve, tatimet zënë peshën më të madhe, gati 90 për qind. Nga regjistri i të dhënave mësohet se borxhi zë 56 për qind të vlerës totale të të ardhurave neto të realizuara nga organet e tatim-taksave në vitin 2010, ndërsa në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto llogaritet 4.79 për qind.
 
Referuar të dhënave, konstatohet se peshën më të madhe e zënë debitorët nga tatimet dhe taksat në vlerën e 49 miliardë lekëve ose në masën e 83 për qind, ndërsa borxhi nga sigurimet shoqërore kap vlerën e 7.5 miliardë lekë, që zë një pjesë prej 12.7 për qind. “Nga pikëpamja kohore e krijimit të detyrimeve debitore, rezulton se rreth 85 për qind e tyre, ose në shumën 49.6 miliardë lekë, e zënë debitorët e trashëguar nga viti 2009 dhe përpara, ndërsa 8.9 miliardë lekë, ose 15 për qind më shumë, është krijuar në vitin 2010”, vë në dukje KLSH-ja. Raporti nënvizon faktin se borxhi më i madh është krijuar në vitin 2009, me 19.7 miliardë lekë dhe në 2005-n me 13.7 miliardë lekë.
 
Të ndara sipas degëve, Tirana dhe sektori i VIP-ave kanë peshën më të madhe në mbajtjen e borxhit, në masën 60 për qind. Konkretisht, dega e Tiranës regjistron një borxh me vlerë 22.3 miliardë lekë, kurse Drejtoria e Taksapaguesve të Mëdhenj në 13.7 miliardë lekë. Nga shqyrtimi i problematikës së evidentuar për ecurinë e krijimit të detyrimeve tatimore, KLSH-ja konstaton disa shkaqe, që lidhen me mosndjekjen dhe moszbatimin në nivelin e kërkuar nga administrata tatimore, si dhe zbatimi me mangësi dhe jo në kohë i procedurave ligjore lidhur me mbledhjen e borxhit.
Detyrimi në total është krijuar për shkak se biznesi nuk ka paguar taksat, në masën e 49 miliardë lekëve, ose 83 për qind, kurse të tjerat janë rrjedhojë e aplikimit të gjobave dhe kamatëvonesave. KLSH-ja veçon, ndër të tjera, edhe fenomenin e ndryshimeve të njëpasnjëshme të strukturave organizative e të punonjësve të ngarkuar me administrimin dhe rikuperimin e borxhit tatimor në qendër dhe në bazë.
 
Sakaq, administrata tatimore deklaron se procesi i amnistisë fiskale po ecën me ritme optimiste. Në organin tatimor, rezultojnë si potencial i mundshëm për t’u falur rreth 420 000 raste, ndërsa mësohet se, në të gjitha Drejtoritë Rajonale Tatimore funksionojnë komisionet e administrimit të faljeve.

“Në këto komisione janë shqyrtuar, falur dhe sistemuar rreth 32 400 raste me vlerë rreth 12.8 miliardë lekë për sa i takon TVSH-së, tatim fitimi, akcizë, tatim i biznesit të vogël, sigurime shoqërore, tatim mbi të ardhurat nga punësimi, lojëra fati, gjoba për mospajisje me pajisje fiskale etj.”, deklaron Erion Prifti, drejtor i zyrës së informacionit në DPT.

Ai thotë se ecuri pozitive në këtë proces kemi në disa drejtori rajonale tatimore, si DRT Elbasan, ku deri më datë 20 shtator 2011 janë shqyrtuar dhe falur 6754 raste me vlerë 1.1 miliardë lekë, DRT Shkodër me 3655 raste me vlerë 119.5 milionë lekë, DRT Vlorë me 1172 raste me vlerë rreth 170 milionë lekë, DRT Gjirokastër me 1697 raste me vlerë 426 milionë lekë etj.

Top Channel