Udhëtimet pa viza të shqiptarëve gjallërojnë tregun

31/08/2011 08:15

Tregu i sigurimeve rezulton me rritje të ndjeshme sa i takon numrit të kontratave të lidhura, për periudhën janar-korrik. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), të ardhurat nga primet e sigurimit arritën rreth 5,2 miliardë lekë, ose 7.80 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bwn tw ditur gazeta ‘Shqip’.

“Gjatë periudhës janar-korrik 2011, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 756,821, duke dyfishuar numrin e kontratave krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, bën të ditur raporti i publikuar pak ditë më parë. Duket se udhëtimet e shqiptarëve jashtë vendit pas liberalizimit të vizave kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e primeve të sigurimit, pasi një nga kushtet për të lëvizur drejt një vendi Shengen është sigurimi i jetës.
 
Sakaq, tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar te sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 87.30 për qind të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 12.51 për qind dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.18 për qind. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut, sipas llojit të sigurimit: i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 55.59 për qind dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm motorik zënë 44.14 për qind të totalit të tregut.

AMF bën të ditur se, primet në sigurimin e detyrueshëm motorik arritën shifrën 2,308 milionë lekë, ose rreth 5.85 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sa i takon produktit MTPL e brendshme, gjatë periudhës janar-korrik të vitit 2011 pati ulje 22.69 për qind për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati rritje prej 2.35 përqindësh krahasuar me periudhën janar-korrik të vitit 2010.

Produkti Sigurim Kufitar në periudhën janar-korrik 2011 pati ulje prej 0.32% për primet e shkruara bruto shoqëruar me ulje të numrit të kontratave prej 9.08% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritje të ndjeshme pati edhe produkti Karton Jeshil, me rreth 52 për qind për primet e shkruara bruto, shoqëruar dhe me rritjen e numrit të kontratave prej 40.69 përqindësh krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Top Channel