Energjia, kufizimet do dëmshpërblehen

31/08/2011 15:45

Enti Rregullator i Energjisë Elektrike thotë se shumë shpejt do të
miratojë një kontratë të re energjie, e cila detyron KESH-in, OST-së dhe
CEZ që në rast ndërprerje të energjisë të dëmshpërblejnë me vlera
monetare konsumatorët.

“Ka kontrata mes furnizuesit publik me shumicë dhe atij me pakicë, të cilët kanë sanksionet e tyre të parashikuara me këtë kontratë. Ka kontrata edhe me Operatorin e Sistemit të Transmetimit, kështu që ka penalitete që variojnë deri te qytetari, të cilit i shkakton dëme”, thotë Eduart Elezi, Drejtor Juridik në ERE.

Edhe pse ende nuk i ka përcaktuar përfundimisht masat e dëmshpërblimeve në rast kufizimi të energjisë, ERE thotë se tani në Shqipëri janë krijuar kushtet që konsumatorët të kenë energji 24 orë edhe në rast thatësire.

“Linja që lidh Elbasanin me Malin e Zi është një linjë shumë më e fuqishme dhe arrin që të mbulojë të gjithë konsumin e energjisë elektrike”, tha Elezi.

Projektkontrata e re që tani është në fazë diskutimi me grupet e interesit do të ndryshojë edhe kamatvonesat për qytetarët që nuk i paguajnë faturat e energjisë në kohë.

“Në kontratën ekzistuese që është në fuqi kamatvonesa është 0.5 përqind në ditë dhe jo me shumë se sa 100 përqind e vlerës së faturës dhe në draftin e ri që ne kemi hedhur për mendim dhe së shpejti do të miratohet, propozojmë që të jetë 0.1 përqind në ditë dhe po diskutohet vlera derisa mund të shkojë 50 % e vlerës së faturës”, tha Elezi.

CEZ aplikon për tarifat e reja të energjisë

Muaji gusht konsiderohet stina e nxehtë për kompaninë çeke, CEZ Shpërndarje, pasi është periudha e hartimit të paketës me tarifat e reja të energjisë elektrike.

Kjo vlen edhe për KESH-in dhe OST, dy kompanitë shtetërore, të cilat zënë një peshë jo të vogël në përcaktimin e çmimit final të energjisë elektrike.

Burime zyrtare nga Entit Rregullator i Energjisë Elektrike sqarojnë për “Shqip” procedurën që ndiqet deri në miratimin final të tarifave.

“Brenda javës së parë të muajit shtator, kompania CEZ duhet dorëzojë në zyrat e ERE-së aplikimin për tarifat e reja të energjisë. Pas kësaj, në tetor CEZ publikon aplikimin për t’ua bërë të ditur konsumatorëve dhe grupeve të interesit”, bën të ditur ERE, duke shtuar se kulmi i negociatave zhvillohet në muajin dhjetor, kur vendoset mbi tarifën finale, e cila nis zbatimin në janar 2012.
 

Top Channel