Jeansi, pantalloni  amerikan që u shpik në fund të shekullit të 19-të nga Jacob Davis dhe Levi Strauss, e që fitoi popullaritet në vitet `50-të si “veshje rebele”, më në fund vjen tek ne, si prodhim i markave shqiptare.

“Red & Black” është firma e parë dhe e vetme e jeans-ve “Made in Kosova”. Një veshje e re, një prodhim tërësisht shqiptar, që përveç shqiponjës, në etiketën e saj mbart dhe datën e pavarësisë së Kosovës, atë të 17 shkurtit.

Marka e re e pantallonave që nuk vdesin kurrë, këtë herë nuk vjen nga përtej oqeanit, as nga perëndimi apo vendet e largëta aziatike. Janë xhinse të prodhuara nga hapësira jonë shqiptare e përtej kufirit, e që premton të pushtojnë zemrat e femrave dhe meshkujve, duke sfiduar moshën dhe look-un perfekt.

Forma më popullore e veshjeve të shkujdesura nëpër botë, e ardhur si e tillë plot stile dhe ngjyra, për dekada të tëra, me në fund do të shmangë pyetjen rutinë se “çfarë lloj xhinsi vishni zakonisht?”.

Si imazh i “Red & Black Jeans”, që pritet të furnizojnë Shqipërinë dhe Maqedoninë, janë përzgjedhur dy bukuroshe të njohura shqiptare: Emina Çunmulaj, modele me famë botërore, ndërsa tjetra përfaqësuesja e fundit e Shqipërisë në “Miss Univers”, Angela Martini.

Sipërmarrja për prodhimin e markës kosovare të xhinseve, vjen si një sfidë edhe ndaj vetë realitetit ekonomik për shtetin më të ri të botës. Mbi gjurmët e rrënojave të pasluftës, ringrihet një biznes, i cili nuk mban patentën ekskluzive të ndonjë marke të njohur në treg. Përkundrazi guxon të jetë origjina e produktit.

Një kompani kosovare në perëndim do të shërbejë si “ambasadore industriale”, duke synuar që në tregun vendas të hedhë  80 mijë palë xhinse “Red & Black”, ndërsa në perëndim në varësi të trendeve dhe kërkesave. vitin që vjen, industria e këtyre konfeksioneve do të prodhojë me kapacitet të plotë, deri në 500 mijë palë xhinse.

Red & Black nuk do të jetë vetëm një markë e shqiptarëve për shqiptarët. Me prodhim kryesisht të orientuar për eksport, xhinset shqiptare synojnë të vendosin një gur themeli për profilizimin e tekstilit shqiptar në Ballkan e më gjerë, me pretendimin për të konkuruar firma shumë të njohura të prodhimit të xhinseve.

Pantalloni që kaherë ka kapërcyer pengesat e moshës dhe që luhatet mes trilleve të  modës, nën markën “Red & Black” tani është pjesë e historisë ekonomike të shtetit të ri. Pas sfidës së madhe historike, Kosova e pavarur tashmë po kërkon rrugë të reja për t’iu imponuar shteteve të tjera për njohjen e saj. Duke vënë në punë për herë të parë edhe diplomacinë e fashion, me ndihmën e një prej veshjeve me popullore në botë, Kosova do të jetë sigurisht, një arsye më shumë për të bërë të flitet me respekt për të.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel