Isli Hidi rikthehet në Ukrainë

31/01/2009 09:35

Isli Hidi rikthehet te Krivbas Krivji Rig në kampionatin ukrainas. Portieri i kombëtares shqiptare prishi në mënyrë të njëanshme kontratën me qipriotët e Alqit, për shkak se klubi nuk e kishte paguar prej afro katër muajve.

Në bazë të një klauzole në kontratë, lojtari mund të largohej nëse nuk paguhej për tre muaj dhe Hidi e shfrytëzoi këtë pikë të marrëveshjes. Ndërkohë, sipas mediave qipriote, Alqi ka filluar të shlyejë një pjesë të detyrimeve financiare, jo vetëm për kuqeziun, por edhe për lojtarët e tjerë.

Hidi ka luajtur si titullar në miqësoren që Krivbas humbi 3-2 me Zestafonin. Gjithsesi, ende nuk dihet nëse 28-vjeçari do të qëndrojë te kjo skuadër, ku luajnë edhe dy mesfushorët shqiptarë, Dorian Bylykbashi dhe Ervin Bulku. Edhe këta dy lojtarë luajtën si titullarë në miqësoren.

Mësohet se gjatë janarit, Bylykbashi ka pasur mjaft oferta nga klube të mëdha ukrainase, por drejtuesit e Krivbasit këmbëngulin se fantazisti nuk do të largohet, pasi është pjesë e rëndësishme e ekipit.

Top Channel