Ukraina sulmon me dronë termocentralin bërthamor të Zaporizhias, plagosen dy punëtorë Një luftë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit ka shumë gjasa që të fillojë shumë shpejt, vlerësoi ish-kreu i Shërbimeve Sekrete Ruse.
Në një intervistë për Agjensinë e Lajmeve “Interfax”, Nikolai Patrushev, u shpreh se: “Uashingtoni është i vendosur që të ndërrojë me çdo kusht regjimin në Iran dhe pasi ka dështuar në të gjitha mënyrat e tjera, tashmë i mbetet përballë vetëm mundësia e një konflikti të armatosur”.
Sipas tij, “ka shumë gjasa që situata e tensionuar të përshkallëzohet në një ndërhyrje ushtarake që gjatë vitit 2012. Në favor të kësaj alternative ndikon edhe presioni i Izraelit ndaj amerikanëve”.
Patrushev, u shpreh gjithashtu i sigurt se në Pentagon ekziston tashmë një plan i detajuar se si do të realizohet ndërhyrja në Iran. “Pa dyshim që CIA ka dhënë kontributin e saj dhe amerikanët kanë gati një plan për ndërhyrjen dhe një preventiv për të gjithë kostot e mundshme të luftës”, u shpreh Patrushev.
Ai shtoi se zgjidhja ideale për amerikanët dhe izraelitët do të ishte një goditje blitz mbi centralet bërthamore, siç ka ndodhur më parë në Irak, por një mundësi e tillë është shmangur prej Iranit, që i ka ndërtuar reaktorët thellë nën tokë. Për këtë arsye, e vetmja mënyrë për t’i shkatërruar ato është pushtimi ushtarak i vendit me 75 milion banorë, të konsideruar një superfuqi ushtarake në rajon.
Më parë gjatë javës, një shkencëtar bërthamor u vra në një atentat të sofistikuar në qendër të Teheranit, ngjarje për të cilat autoritetet e vendit të madh aziatik fajësuan agjenturën amerikane dhe izraelite.
Megjithatë, Uashingtoni, i cili nuk e ka përjashtuar ndonjëherë mundësinë e ndërhyrjes në Iran, e deklaroi veten tërësisht të huaj me ngjarjen.
Top Channel