Nisin reshjet e dëborës në aksin Korçë–Dardhë, borëpastrueset në terren! ARRSH bën apel për kujdes
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama që të heqë dorë nga sulmet ndaj selisë së PD-së, duke deklaruar se opozita mund të kundërpërgjigjet në mënyrë vendimtare.
Në deklaratën e tij pas protestës së 28 nëntorit, Berisha tha se selia blu do të jetë strehë për çdo protestues, pavarësisht bindjeve politike.
Berisha dënoi ndërhyrjen e policisë gjatë protestës, ndërsa pretendoi se mbi 21 protestues janë detyruar të paraqiten në spital dhe dhjetëra të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore jashtë strukturave spitalore.
Ai akuzoi gjithashtu policinë për përdorimin e gazit lotsjellës, ujit me presion dhe mjeteve të tjera të dhunshme, duke pretenduar se autobotët me ujë janë drejtuar edhe kundër gazetarëve dhe operatorëve mediatikë.
“Në përballje me regjimin mbi 21 protestues u detyruan të paraqiten në spital, dhjetëra të tjerë janë mjekuar në kushte jo spitalore por regjimi theu kockë, theu gjymtyrë, çau kafka, përdori breshëritë e plumbave, përdori mjetet e tjera të dhunshme, përdori topat e ujit të cilët siç e patë u drejtuan edhe kundër gazetarëve dhe operatorëve të mediave që ai i konsideron armike, të Syri Televizion, që s’po bënin as edhe një akt të vetëm përveçse detyrës së tyre profesionale. U goditën me shënjestër intelektualë të shquar të vendit vetëm e vetëm se kanë qenë, kanë qëndruar të palëkundur në protestë dhe anë të protestuesve.
U goditën me shënjestër mbi sy, në faqe, prapa koke, djem dhe vajza që nuk po kryenin asnjë akt dhune. U plagos rëndë me plumb gome dhe iu ça lëkura dhe kafka, kamerieri që shërbente në kafene tek Opera. Sasi kolosale gazrash u hodhën me dron njëlloj si rusët në Ukrainë. Pra, Edi Rama përdori të gjitha mjetet kundër protestuesve por ata dhe tani sheshin e kanë në dorë. Ishte kjo një betejë e jashtëzakonshme, dita e parë e saj u kurorëzua me triumfin e guximit, heroizmit të protestës.
Kam besim të madh se nesër, dita e dytë e saj do të jetë po kaq, në mos edhe më e madhështore, më e jashtëzakonshme. Mirënjohje të pakufishme ndaj të gjithë atyre që morën pjesë. Në veçanti kam një mirënjohje shumë të veçantë për qindra e qindra shqiptarë e shqiptare që erdhën në këtë protestë nga mijëra kilometra larg dhe u rreshtuan me bashkëatdhetarët e tyre duke përfaqësuar diasporën. Falënderoj nga zemra çdo demokrat e demokrate që sot mbushën atë shesh bashkë me qytetarët e tjerë.
Shpreh vlerësimin tim më të madh për ta dhe përsëri rikujtoj se vendi ynë, vendi i çdo demokrati e demokrateje është në çdo protestë kundër këtij regjimi gjer në largimin e tij, gjer në largimin e tij. Ndaj dhe i ftoj, i ftoj me vendosmëri, durim, të marrin pjesë në çdo protestë kundër Edi Ramës. Pjesëmarrja e tyre ka një rëndësi jetike, vendimtare për suksesin e protestave. Dhe siç kam theksuar dhe më parë përsëris, protesta dhe vetëm protesta, rruga e vetme për të larguar Edi Ramën nga pushteti.
Së dyti, duhet të dënoj dhunën e egër që u ushtrua sot ndaj protestuesve paqësorë. Garantoj Edi Ramën se do të mbahet direkt përgjegjës për këtë dhunë. Ai, Demo dhe Hitaj i tij. Kjo trojkë do përgjigjet për të gjitha plagosjet që u ka shkaktuar protestuesve paqësorë dhe do përgjigjet shumë rëndë. Së treti, në emër të Partisë Demokratike dënoj me forcën më të madhe sulmin stalinist kundër selisë së Partisë Demokratike. Edvin Kristaq Xhelati, armiku i egër i pluralizmit dhe i Partisë Demokratike, dërgoi narkobanditët e tij me të gjithë arsenalet dhe gjuajtën selinë e Partisë Demokratike, territorin e saj me topa uji, me bomba gazi, me spraj, në një kohë kur në mënyrë absolute nuk kishte asnjë motiv të vetëm përveç urrejtjes së tij ndaj kundërshtarit politik.
Unë paralajmëroj Edi Ramën: hiq dorë nga sulmet ndaj selisë së Partisë Demokratike se në mënyrë absolute mund të të kundërpërgjigjemi në një mënyrë vendimtare me sulme ndaj selisë sate. Sikundër theksoj se kjo seli ka qenë, është dhe do mbetet strehë mikpritëse për çdo protestuese e protestues të të gjitha bindjeve, sepse protestat janë një e drejtë kushtetuese, janë një e drejtë e patjetërsueshme dhe çdo kufizim, dhunë, terror ndaj protestuesve janë akte antikushtetuese. Ndaj dhe këtë ta dijë mirë, ne do të mbrojmë, do t’i japim strehim çdo protestuesi që ka nevojë për mbrojtje dhe për strehim nga sulmet e egra të narkoregjimit të Edi Ramës”, tha Berisha.
Top Channel