AKU inspekton 160 subjekte/ Tetë gjoba me vlerë 1.46 mln lekë, mes tyre kopshti i fëmijëve dhe një spital që nuk “korrigjuan” gabimet, bllokohet edhe 2 ton mish

26/11/2026 18:05

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ushtruar kontrolle në 160 subjekte ushqimore gjatë dy ditëve në të gjithë vendin.

Nga inspektimet janë vendosur 8 masa administrative me gjobë në vlerën totale 1.460.000 lekë dhe 9 masa me paralajmërim. Në Fier, në një subjekt të përpunimit të mishit, janë bllokuar 2.089 kilogramë produkte me destinacion asgjësimin.

Kontrollet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë evidentuar shkelje të kushteve higjieno-sanitare, mungesë të gjurmueshmërisë së produkteve dhe moszbatim të sistemit të vetëkontrollit HACCP në disa subjekte ushqimore në qarqe të ndryshme të vendit.

Sipas njoftimit të AKU-së, gjatë dy ditëve trupat inspektuese kanë kontrolluar 160 subjekte, nga të cilat 50 me origjinë shtazore, 78 me origjinë joshtazore dhe 32 subjekte MBIB.

Në përfundim të kontrolleve janë vendosur 9 masa administrative me paralajmërim për shkelje të lehta, ndërsa për shkeljet e konstatuara janë dhënë 8 gjoba në vlerën totale prej 1.460.000 lekësh.

Një nga rastet më problematike është evidentuar në qarkun Fier, ku AKU, në bashkëpunim me strukturën e Krimit Ekonomik dhe bazuar në informacionin e përcjellë nga Prokuroria, ka ushtruar kontroll në subjektin “R. Sauli”, me aktivitet në përpunimin e mishit.

Gjatë inspektimit janë konstatuar mungesa të kushteve higjieno-sanitare dhe të ruajtjes së produkteve, mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë për periudhën tetor-nëntor, moszbatim i plotë i sistemit HACCP, si dhe mangësi në përmbushjen e përgjegjësive të operatorit të biznesit ushqimor.

Për këto shkelje është vendosur bllokimi i 2.089 kilogramëve produkte, konkretisht 1.629 kilogramë produkt “gjiro”, 100 kilogramë dhjamë derri dhe 360 kilogramë kimë mishi pule, me destinacion asgjësimin. Ndaj subjektit është vendosur gjithashtu gjobë prej 1 milion lekësh dhe ndërprerje e pjesshme e aktivitetit në ambientet ku janë konstatuar problematikat.

Kontrolle janë ushtruar edhe në qarqet Shkodër dhe Durrës, në bashkëpunim me strukturat e Krimit Ekonomik të policisë.

Në Shkodër, në subjektin “Universal Frigo Darb”, me aktivitet në përpunimin e mishit, është konstatuar mungesë e sistemit të gjurmueshmërisë, për të cilën është vendosur gjobë prej 100 mijë lekësh.

Ndërsa në Durrës, kontrolli në subjektin “Golden Hand Company”, me aktivitet në tregtimin e frutave të thata, ka evidentuar mungesë të gjurmueshmërisë, mosimplementim të sistemit HACCP dhe mangësi në përmbushjen e përgjegjësive të operatorit të biznesit ushqimor. Për këto shkelje është vendosur gjobë prej 300 mijë lekësh.

Masa administrative janë marrë edhe në qarkun Dibër. Kopshti nr. 3 në Peshkopi dhe Spitali Civil Peshkopi janë gjobitur me nga 30 mijë lekë secili, për mosrealizimin e detyrave të lëna nga inspektimet e mëparshme.

Top Channel