“Më kanë goditur pa pushim”/ U shoqërua në komisariat gjatë protestës së mbrëmshme, i riu përpara Kuvendit: U dhunova nga policia, më çuan në zyrë…
Dosja e vjedhjes së 69 milionë lekëve të reja në filialin e Postës Shqiptare në Durrës ka marrë një kthesë të rëndësishme, sepse dyshohet se aty janë të përfshirë edhe deputetë.
Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencën dhe ia ka përcjellë çështjen SPAK-ut, pasi dyshon se pas skemës mund të fshihet një grup i strukturuar kriminal.
Sipas informacioneve të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, në skemë dyshohet se mund të jenë përfshirë edhe ish-zyrtarë të postës që aktualisht gëzojnë imunitet parlamentar. Në zgjedhjet e fundit parlamentare garoi si deputete nën siglën e partisë socialiste dhe e fitoi mandatin është ish-drejtoresha e postës Etleva Budini.
Ndërkohë, Gjykata e Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë për pasardhësen e saj, Elisabeta Mataj, e cila u prangos menjëherë pas skandalit, duke e kaluar nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Vendimi vjen pas kërkesës së Matajt dhe mbrojtjes, e cila ka kundërshtuar pretendimin e prokurorisë se provat e administruara gjatë hetimit kanë rënduar pozitën e saj procedurale.
Mataj ndodhej në paraburgim prej 18 korrikut dhe hetohet për vjedhjen në bashkëpunim, përmes shpërdorimit të detyrës, të 69 milionë lekëve, fonde të destinuara për qytetarët në degët e Postës në Shijak dhe Krujë.
Në të njëjtën çështje nën hetim janë edhe ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana, të dyja me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Top Channel