Dyshohet se përdori fotot dhe videot e përdoruesve pa lejen e tyre, e pëson kompania Meta në Itali, gjobë rekord prej 887 mln dollarësh
Përplasja e dy anijeve në lumin e Misisipit, pranë Nju Orlinsit, për pak sa nuk u shndërrua në një tragjedi me përmasa të mëdha.
Rreth 130 persona u shpëtuan pasi trageti turistik American Heritage u godit nga një anije cisternë dhe përfundoi e përmbysur në njërën anë, ndërsa uji nisi të depërtonte me shpejtësi në bord. Anija turistike po përfundonte një udhëtim tetëditor përgjatë Misisipit, kur ndodhi aksidenti.
Skenat e panikut, me pasagjerë që përpiqeshin të largoheshin nga anija që po fundosej, u pasuan nga një operacion dramatik shpëtimi. Policia, ekipet e emergjencës dhe drejtuesit e rimorkiatorëve ndërhynë menjëherë, duke arritur të nxirrnin të gjithë personat në bord. Tridhjetë e dy prej tyre përfunduan në spital me lëndime jo të rënda, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet asnjë i zhdukur.
Autoritetet amerikane e cilësuan operacionin një “mrekulli në Misisipi”. Kryebashkiakja e Nju Orlinsit, Helena Moreno, vlerësoi reagimin e menjëhershëm të ekipeve të shpëtimit, ndërsa guvernatori i Luizianës theksoi se shmangia e humbjeve të jetëve, duke pasur parasysh numrin e madh të pasagjerëve, ishte e jashtëzakonshme. Dëshmitarët e përshkruan përplasjen si një skenë filmi katastrofik.
Njëri prej tyre tregoi se zhurma e metaleve që përplaseshin ngjante me një film lufte, ndërsa pasagjerët bërtisnin dhe qanin teksa përpiqeshin të shpëtonin. Shkaqet e aksidentit mbeten nën hetim, megjithëse dyshimet e para flasin për një humbje të mundshme të kontrollit të drejtimit të njërës prej anijeve.
Presidenti Donald Trump përgëzoi ekipet e shpëtimit për ndërhyrjen, ndërsa autoritetet pezulluan përkohësisht lundrimin në këtë pjesë të lumit.
Top Channel