Vrau brenda sallës gjyqtarin Kalaja pasi dha vendimin, shtyhet seanca ndaj Ervis Shkambit dhe xhaxhait të tij, zbardhet kërkesa e avokatit
Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për 10 personat e arrestuar për pjesëmarrje në protestat e dhunshme dhe dëmtim të pronës publike e private.
Gjykata ka vlerësuar të ligjshëm arrestimin e tyre, ndërsa ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për masa shtesë kufizuese ndaj tetë protestuesish të rritur.
Shqyrtimi i masave të sigurisë u zhvillua në dy seanca të veçanta, me dyer të mbyllura. Për tetë personat madhorë, Prokuroria kishte kërkuar, përveç detyrimit të paraqitjes, edhe ndalimin e afrimit pranë institucioneve shtetërore dhe të pjesëmarrjes në qendra ku zhvillohen tubime. Kjo kërkesë nuk u pranua nga gjykata.
Ndërkohë, për personin 14-vjeçar, masa e sigurisë u shqyrtua nga gjyqtarja e seksionit për të mitur. Edhe në këtë rast, gjykata vendosi detyrimin e paraqitjes dhe e konsideroi të ligjshëm arrestimin.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se që nga nisja e protestave, gjatë 11 ditëve të fundit, para Gjykatës Penale të Tiranës kanë dalë gjithsej 194 shtetas.
Sipas të dhënave të bëra publike, 170 prej tyre janë lënë me masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, ndërsa për të tjerë janë caktuar masa më të rënda, përfshirë arrestin me afat.
Në disa raste, gjykata ka vendosur edhe kufizime për afrimin pranë institucioneve, në kuadër të procedimeve të lidhura me ngjarjet e ndodhura gjatë protestave.
Top Channel