Video/ “Do të të…”, sharje banale e sherr i fortë në Kuvend. Kreka përplaset fizikisht me ish-ministrin Hoxha, Bora Muzhaqi tenton të qetësojë kolegun, ndërhyn Garda

22/10/2026 11:05

Një situatë tejet e tensionuar është shënuar sot gjatë seancës plenare në Kuvend.

Deputeti i PD-së Fidel Kreka fillimisht iu është afruar deputetëve të PS-së dhe ka nisur përplasja me fjalë. Më pas, është parë ish-ministri Ervin Hoxha t’i afrohet, duke kërkuar që të qetësohet situata. Më pas, Kreka i është kthyer këtij të fundit, duke e shtyrë me të dyja duart.

Në atë moment, situata ka agravuar, ku Hoxha ka tentuar t’i kthehet, por ka ndërhyrë menjëherë Garda, si dhe deputetët e tjerë.

Përplasja ka vijuar mes tyre me sharje banale nga të dyja palët, teksa në anën e Krekës ishin kolegët e tij, Garda në mes, ndërsa në anën e Hoxhës ishin kolegët e tij, të cilët tentonin ta qetësonin.

Në pamje shihet edhe Bora Muzhaqi, e cila i flet dhe e mban, duke i kërkuar që të qetësohet.

Top Channel