Mbi 20 organizata kërkojnë dialog dhe protesta paqësore, Rama: Bujrum për dialog, ku të doni, kur të doni, pa kushte Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë në një konferencë me gazetarët, ku ka komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama ditën e sotme për protestën.
Sipas Berishës, studentët janë në një mision liberator, në një mision të vërtetë çlirimtar të një populli nga diktatura më e egër që ka njohur në histori.
Gjithashtu kreu i PD-së u bëri thirrje punonjësve të Policisë së Shtetit që të mos mbrojnë Edi Ramën, të mos qëllojnë studentët por të dorëzojnë kapelën dhe të dorëzojnë detyrën.
Fjala e Sali Berishës:
Studentët janë në një mision liberator, në një mision të vërtetë çlirimtar të një populli nga diktatura më e egër që ka njohur në histori. Nga diktatura e bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e qytetarëve.
Edi Rama i quajti të pa shkollë, injorantë, njerëz të gurit dhe terroristë. Bëri gjithçka për të krahasuar këtë revoltë çlirimtare për shqiptarët dhe Shqipërinë, duke krahasuar veten me Macron dhe burra shteti të tjerë.
Ky është një diktatori i pacipë, i pafytyrë, i pamoral. Asnjë nga kryetarët e shteteve që citoi nuk ka përzënë ne 10 vite nga vendi mbi 50 për qind të të rinjve të vendit të tij, me politikat e ndjekura.
Asnjë nga kryetar shteti që përmendi, nuk ka përzënë 47 për qind të popullit të tij. Asnjë nga ata që duhet të lante gojën kur i përmendi, nuk e ka mjeruar vendin e tij dhe kthyer ekonominë e vendit në ekonominë e drogës.
Edi Rama dëshmoi me fjalën e sotme se ai është po aq larg shqiptarëve dhe problemeve të tyre saç ishte diktatori Enver Hoxha. Edi Rama sot në analizën e tij tregoi urrejtjen e shfrenuar ndaj qytetarëve shqiptarë që kërkojnë të drejtën e tyre.
Edi Rama në shkallë papërgjegjshmërie deklaron se me protestat e dhunshme nuk nënshtrohet. Ça bëri ai me protestën paqësore 5 mujore? Nëse protesta ka marrë këto nuanca, ai është autori kryesor.
U përpoq të bind se qenka Rusia dhe Irani pas gjimnazistëve dhe studentëve shqiptare, si kriminelë lau duart nga çdo përgjegjësi. Bëri thirrje forcave të rendit të shndërrohen në mburojë të tij, por unë jam këtu për tu bërë thirrje punonjësve të policisë mos mbroni një njeri i cili ka përzënë nga vendi i tij pothuajse gjysmën e popullit shqiptar me varfërinë që ka krijuar.
Mos mbroni njeriun që ka zhytur institucionin e tij dhe institucionet te tjera në krim. Mos mbroni njeriun që ka përvetësuar dhe vjedhur miliona e miliona euro nga taksat e juaja dhe të qytetarëve. Mos mbroni një njeri që është sjellë me keq se çdo pushtues në Shqipëri. Frymëzohuni dhe ju nga këto të rinj që duan të hedhin mënjanë diktaturën e krimit.
Mos qëlloni mbi studentëve dhe gjimnazistëve, dorëzoni kapelën, dorëzoni detyrën. Mos lejoni të transformoheni ashtu siç nuk jeni.
Top Channel