Viktima u ndoq 3 kilometra nga autori që aktivizoi eksplozivin me telekomandë/ Prishje të pazareve të drogës, zbardhet vrasja e Beqir Devollit në Gjirokastër
16/10/2026 14:16
Tashmë është zbardhur vrasja e Beqir Devollit me tritol në Gjirokastër.
Gjatë hetimeve në pyetje janë marrë 18 persona, ndërsa grupi hetimor ka kryer veprime hetimore dhe ekzaminime për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Të akuzuar për vrasjen janë Behar Zyberi, Shpëtim Malasi, Gentjan Zhupa dhe Kliton Alushi. Sipas informacionit të përcjellë, Gentjan Zhupa është larguar, ndërsa për Kliton Alushin pretendohet se është larguar jashtë shtetit.
Hetimet përfshijnë gjithashtu verifikime që lidhen me lëndët narkotike, pra prishje të pazareve të drogës.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së shtunës, në bulevardin “18 Shtatori”, pranë institucioneve të drejtësisë dhe Policisë së Gjirokastrës, kur automjeti tip “Benz” shpërtheu në lëvizje.
Beqir Devolli, i cili drejtonte makinën, ndërroi jetë gjatë transportimit drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë, Erigers Mela, i cili ndodhej në automjet, mbeti i plagosur, por raportohet se është jashtë rrezikut për jetën.
Devolli nuk kishte raportuar konflikte të hapura. Ai rezulton të jetë dënuar në vitin 2012 për transport të paligjshëm të emigrantëve.
Familja e tij ka banesën në një fshat të qarkut të Gjirokastrës, ndërsa vetë Devolli e kalonte pjesën më të madhe të kohës në Tiranë.