Milan, Alphadjo Cisse vendos rekord, futbollisti më i ri italian që shënon tregolësh në Europa League
Milani harron humbjen e rëndë në javën e parë të Europa League dhe merr 3 pikët e para në këtë kompeticion duke mundur në transfertë Salzburgun me rezultatin 4-0.
Milan ishte dominues total thuajse gjatë gjihë pjesës së parë ku protagonist u bë Alpha Cisse autor i një dygolëshi. Fillimisht Cisse shënoi në minutën e 15 duke zhbllokuar rezultatin pasi shfrytëzoi një asist të Hutchinson, ndërsa goli i dytë erdhi 17 minuta më vonë ku këtë radhë ai që shërbeu për Cisse ishte Bartesaghi dhe me avantazhin 2-0 kuqezinjtë shkuan në pushimin e ndeshjes. Cisse ishte i papërmbajtshëm teksa me të filluar pjesa e dytë shënoi një tjetër gol duke e çuar rezultatin në 3-0 për Milanin për të plotësuar edhe tregolëshin e tij personal. Skuadra e Amorim nuk kishte të ndalur dhe në minutën e 72 gjeti edhe golin e katërt, këtë radhë me Gonçalo Ramos që më në fund rikthehet te goli me fanellën kuqezi dhe rezultati shkoi në 4-0 që mbeti i tillë deri në fund të 90 minutëshit me Milanin që mori 3 pikët e para në Europa League
Fitore shënoi edhe Lyon që mposhti Crystal Palace me rezultatin 3-2. Lyon i mjaftuan 8 minuta për të marrë avantazhin në këtë ndeshje teksa shënoi me Tolisso për rezultatin 1-0. Ndërsa në minutat shtesë të pjesës së parë Nuamah dyfishoi shifrat për skuadrën franceze që shkoi kështu me avantazhin 2-0 në pushimin e ndeshjes. Në fillimin e pjesës së dytë, Crystal Palace rihapi llogaritë e sfidës teksa me Yeremy Pino shkurtoi diferencën në 2-1. Në minutat në vazhdim u shënuan edhe dy gola të tjerë. Fillimisht ishte Lyon që gjeti rrugën e rrjetës me Sulc për të çuar rezultatin në 3-1, më pas Crystal Palace me Kamada shkurtoi diferencën në 3-2, shifra këto që mbetën deri në përfundim të sfidës me Lyonin që arrin në kuotën e 6 pikëve
Nuk gaboi as Bayer Leverkusen që mposhti në transfertë Lech Poznan me rezultatin 4-0 Bayer Leverkusen e zgjidhi ndeshjen praktikisht që në pjesën e parë të sfidës. Patrick Schick dy herë dhe në të dyja rastet me penallti dhe Malik Tillman ishin ata që shënuan golat për skuadrën e aspirinave në këtë përballje. Në minutat shtesë skuadra gjermane me golin e Ibrahim Maza fiksoi rezultatin 4-0 duke marrë fitoren e dytë në po kaq ndeshje duke shkuar në 6 pikë.
Top Channel