Miratohen vendimet e reja/ Zyrtarizohet drejtoresha e re e Burgjeve, Fond Kombëtar për Artin dhe Lice Francez në Korçë

14/10/2026 14:30

Këshilli i Ministrave ka miratuar një sërë vendimesh dhe projektligjesh në mbledhjen e zhvilluar më 14 tetor 2026, që përfshijnë ndryshime në drejtimin e institucioneve, financimin e artit, arsimin, shëndetësinë, mbrojtjen e fëmijëve dhe projekte infrastrukturore.

Tashmë zyrtarisht Adriatik Kupi është liruar nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, ndërsa në këtë pozicion është emëruar Sadleva Bodo.

Në fushën e kulturës, qeveria ka miratuar projektligjin për krijimin dhe funksionimin e Fondit Kombëtar për Artin, i cili synon të rregullojë financimin publik për blerjen, administrimin, ruajtjen dhe ekspozimin e veprave të artit dhe objekteve me vlerë kulturore e historike.

Projektligji parashikon gjithashtu mekanizma transparence dhe kontrolli për përdorimin e fondeve, përfshirë publikimin vjetor të veprave të blera dhe vlerave financiare përkatëse.

Një tjetër projektligj i miratuar nga qeveria lidhet me ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë “Liceu Francez i Korçës”. Sipas projektit, mësimi do të zhvillohet në shqip, frëngjisht dhe anglisht, ndërsa kurrikula do të ndërthurë sistemet arsimore shqiptare dhe franceze, me synimin që nxënësit të mund të pajisen me diplomën shqiptare të maturës dhe atë franceze, Baccalauréat.

Në fushën e shëndetësisë, Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime në mënyrën e financimit të shërbimeve shëndetësore publike të kujdesit parësor. Ndryshimet parashikojnë financimin e shërbimeve të Programit Kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë për grupmoshat mbi 35 vjeç, nëpërmjet Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore.

Po ashtu, është miratuar një vendim për përcaktimin e mënyrës së ngritjes dhe funksionimit të institucioneve mjekësore të posaçme, si dhe masave të sigurisë për ruajtjen e tyre.

Në kuadër të mbrojtjes sociale, qeveria ka miratuar procedurat për referimin dhe menaxhimin e rasteve të fëmijëve që kanë nevojë për kujdes alternativ në familje. Vendimi përcakton përgjegjësitë e institucioneve, mënyrën e vlerësimit periodik të situatës së fëmijëve dhe procedurat për monitorimin e mbrojtjen e tyre.

Në fushën e infrastrukturës, është miratuar shpronësimi për interes publik i pronave private që preken nga projekti për ndërtimin e rrugës “Rrotonda e Varrezave – intersektimi i rrugës ‘Nos Josifi’” në Bashkinë Elbasan. Vlera e përgjithshme e shpronësimit është 654 833.40 lekë, ndërsa shpenzimet procedurale prej 50 mijë lekësh do të përballohen nga buxheti i bashkisë.

Një tjetër vendim lidhet me kalimin në përgjegjësi administrimi te Fondi Shqiptar i Zhvillimit të një pasurie në Ksamil, Sarandë, për realizimin e projekteve që përfshijnë ndërtimin e nyjeve multimodale të mobilitetit dhe krijimin e hapësirave publike të parkimit.

Qeveria ka miratuar gjithashtu ndryshime për përdorimin e një prone në Sarandë për arsim parashkollor, si dhe vendime të tjera që lidhen me marrëveshje financiare, mbrojtjen shoqërore dhe administrimin e substancave me rrezikshmëri të lartë.

Vendimet dhe projektligjet e miratuara janë publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë.

Top Channel