Flakët dhe përplasjet nga protesta në Tiranë, zëvendëskryeministrja Koçiu: Shqipëria nuk ka nevojë për kaos dhe të digjet për të ndryshuar

14/10/2026 18:29

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me situatën e krijuar nga protestat dhe aktet e dhunës në Tiranë.

Koçiu ka dënuar dhunën dhe shkatërrimin e pronës, duke rikujtuar pasojat që ka sjellë kaosi në të kaluarën. Ajo ka bërë thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe ruajtjen e institucioneve dhe sigurisë publike.

“Shqipëria e ka paguar jashtëzakonisht shtrenjtë faturën e kaosit në të kaluarën, ku në emër të zemërimit dhe revoltës, u sulmuan institucione, u shkatërrua prona dhe vendi u zhyt në një krizë që i kushtoi shumë vite zhvillimi, stabiliteti dhe besimi. Pasojat e atij kaosi e mbajtën vendin peng për dekada, duke lënë plagë që i ndiejmë ende sot.

Pamjet e dhunës, flakëve dhe përplasjeve në Tiranë, na kujtojnë se sa e brishtë është vija që ndan protestën paqësore nga kaosi.

Në këto orë duhet qetësi, vetëpërmbajtje dhe maturi. Institucionet janë pasuri publike, bizneset janë puna e dikujt, rrugët janë të të gjithëve dhe siguria është e drejtë e çdo qytetari.

Shqipëria nuk ka nevojë të digjet për të ndryshuar. Ka nevojë të ndërtojë, të përparojë dhe të mbrojë atë që ka arritur”, ka shkruar zëvendëskryeministrja në “Facebook”.

Top Channel