Kundërshtarë për një natë, por armiq kurrë. Jose Mourinho kthehet në Olimpico për herë të parë pas largimit nga posti i trajnerit të Romës.

Për një natë, Special One do të jetë rivali i një skuadre që e ka drejtuar për 138 ditë duke fituar edhe zemrat e tifozëve të saj. Portugezi së fundmi nuk i ka rezervuar deklaratat e rëndësishme në drejtim të ish tifozëve të tij.

‘Kanë qenë specialë me mua. Kur zbrita në aeroport për herë të parë, ishin 1000 persona që më prisnin-tregon Jose Mourinho-dhe unë nuk kisha bërë asgjë për ta, nuk kisha zhvilluar asnjë ndeshje, nuk kisha marrë as edhe një pikë. Por Roma është e tillë, e vura re më pas. Romanistët panë që për mua ekzistonte vetëm një gjë dhe ishte Roma, ishin ata. Luftova dhe dhashë gjithçka’.

Por pavarësisht ndjesisë speciale, Mourinho nuk pret ndonjë mirëpritje të veçantë, por respekt për atë që ishte te Roma. Shumë tifozë verdhekuq, i janë ende mirënjohës luzitanit për fitoren e Conference League në 2022 dhe për arritjen në finalen e Europa League në 2023. Por ajo që e pret nuk do të jetë një klimë shumë miqësore, tani në atë që dikur ishte pankina e tij është Gian Piero Gasperini, trajneri të cilin Mourinho pas përballjes së parë në 2008 e kishte përkufizuar si trajnerin më të vështirë kundër të cilit kishte luajtur ndonjëherë.

Ndeshja në fjalë ishte Inter-Genoa, e vlefshme për javën e 8 të sezonit 2008/09. Në San Siro përfundoi 0-0 edhe pse skuadra xhenoveze për 30 minuta luajti në inferioritet numerik për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Ivan Juric. Mourinho në fund të asaj ndeshjeje nuk ia kurseu elozhet kolegut të tij që diti ta mbërthejë mirë.

‘është trajneri më i vështirë me të cilin jam ndeshur ndonjëherë. Ndryshova 5 herë skemën e lojës dhe ai m’u përgjigj në çdo rast-ishin fjalët e Mourinhos-ishte një betejë e vërtetë’.

Komplimenta të cilat u pasuan edhe nga fraza e famshme e Pep Guardiolës që në prag të një ndeshjeje mes Manchester City dhe Atalantës tha se përballjet me skuadrat e Gasperinit ishin të bezdisshme, sikur shkon te dentisti. 

Pas asaj përballjeje të parë, Gasperini dhe Mourinho janë përballur mes tyre edhe 9 herë të tjerë dhe bilanci sheh në avantazh portugezin me 5 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje. Por Special One në 3 ndeshjet e fundit nuk ka marrë asnjë fitore dhe te Ro,ma shpresojnë që kjo seri e Gasperinit të vazhdojë.

Top Channel