“Shqipëria ka ambicien të mbyllë kapitujt deri në fund të 2027-s”, Marta Kos: Falë punës së madhe po mbyllim kapitullin e 20

13/10/2026 19:10

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos ka përgëzuar Shqipërinë, për arritjet e saj, teksa sot mbyllen negociatat për kapitullin 20 “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.

Gjatë konferencës së përbashkët në Luksemburg me kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne, Kos u shpreh se anëtarësimi në BE është projekt kombëtar.

Sipas Kos, Shqipëria mund të bëhet anëtare e unionit para vitit 2030.

“Shqipëria është një nga kryesueset e këtij progresi mbresëlënës që po arrijmë sot, falë punës së madhe dhe mbështetjes së vendeve anëtare. Po mbyllim një tjetër kapitull negociues: Kapitullin 20, që ka të bëjë me bizneset shqiptare, të cilat rriten, zhvillohen, konkurrojnë dhe krijojnë më shumë vende pune. Bizneset e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare. Reformat dhe Kapitulli 20 sjellin përfitime reale për to. Shqipëria po përafron gjithashtu politikat e saj industriale me ato të BE-së, sidomos për sa u përket teknologjive të reja, teknologjisë së pastër, materialeve dhe lëndëve të para kritike. Këto janë thelbësore për të ndërtuar një ekonomi më të fortë. Dua të përgëzoj institucionet shqiptare për një tjetër arritje dhe, sidomos, juve, e dashur zonja ministre, e dashur zonja Delina. Kjo është arritja juaj. Shqipëria i ka vënë vetes objektivin ambicioz për të mbyllur të gjithë kapitujt deri në vitin 2027. Ne e mbështesim këtë ambicie, por, për ta arritur atë, Shqipëria duhet të vazhdojë të japë rezultate, sidomos në fushën e Themeloreve. Por kjo punë duhet të përfshijë të gjithë qeverisjen, opozitën, shoqërinë civile dhe qytetarët. Pse? Sepse anëtarësimi në BE është një projekt kombëtar. Nga ana jonë, ne po përgatitemi për një Bashkim Evropian më të gjerë. Javën e kaluar paraqitëm vlerësimin tonë se duhet të përgatitemi për një Bashkim Evropian më të madh. Mesazhi ynë ishte se ne mund ta bëjmë një Bashkim më të madh të funksionojë. Po hedhim hapat e nevojshëm për ta bërë këtë realitet”, theksoi Komisionerja për Zgjerimin.

 

Top Channel