Sulmet e rebelëve Houthi në Lindjen e Mesme nuk ndalen, Arabia Sauditë njofton shkatërrimin e një tjetër rakete balistike në territorin e saj
Administrata Trump ka paralajmëruar Ukrainën dhe aleatët evropianë se Shtetet e Bashkuara mund të pezullojnë shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës dhe blerjet evropiane të armëve amerikane për Ukrainën, nëse Kievi nuk ndalon sulmet e thella ndaj objekteve energjetike ruse.
Dy zyrtarë evropianë i thanë CNN se paralajmërimet nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe Pentagoni janë dërguar gjatë fundjavës te zyrtarë ukrainas dhe evropianë. Sipas tyre, komunikimet kanë mbërritur edhe drejtpërdrejt te komandantët ukrainas përmes kanaleve ushtarake amerikane.
Një tjetër burim i njohur me çështjen konfirmoi se SHBA ka kërcënuar me ndërprerjen e shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës me Ukrainën.
Gazeta Financial Times raportoi e para për këto kërcënime, duke bërë të ditur se administrata amerikane po shqyrton gjithashtu ndalimin e mekanizmave përmes të cilëve vendet evropiane blejnë armë amerikane për Ukrainën.
CNN i është drejtuar Departamentit të Mbrojtjes, Departamentit të Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë për një reagim mbi këto zhvillime.
Trump i kërkon Ukrainës të ndalë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike
Paralajmërimet amerikane vijnë në një kohë kur presidenti Donald Trump ka shprehur vazhdimisht pakënaqësinë ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për sulmet e Ukrainës ndaj rafinerive dhe objekteve energjetike në Rusi.
Trump ka fajësuar prej kohësh luftën mes Rusisë dhe Ukrainës për rritjen e çmimeve globale të naftës dhe karburanteve dhe ka kërkuar që të dyja palët të ndalojnë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike.
Më herët, Trump njoftoi se Rusia dhe Ukraina kishin rënë dakord për atë që ai e përshkroi si një “armëpushim energjetik”.
Zelensky reagoi duke thënë se Ukraina e mbështet një armëpushim të tillë, por se është e rëndësishme që edhe Rusia ta respektojë atë.
“Ukraina e mbështet armëpushimin dhe është e rëndësishme që edhe Rusia ta mbështesë. Po presim detajet nga pala amerikane”, shkroi Zelensky në rrjetin social X.
Paralajmërimi amerikan mund të godasë rëndë mbrojtjen e Ukrainës
Një zyrtar evropian i tha CNN se shkëmbimi i inteligjencës dhe blerjet e armëve janë “jetike” për Ukrainën, duke e cilësuar kërcënimin amerikan si një “ditë të trishtë” për Kievin dhe aleatët e tij.
Nëse SHBA do ta zbatojë këtë kërcënim, pasojat për mbrojtjen ukrainase mund të jenë të menjëhershme.
Informacionet e inteligjencës amerikane ndihmojnë Ukrainën të mbrohet nga sulmet me raketa balistike ruse, duke i ofruar të dhëna mbi vendndodhjen e lëshuesve të raketave, trajektoret e goditjeve dhe kohën e mbërritjes së tyre.
Ndërkohë, pezullimi i blerjeve të armëve do të mund të ndikonte veçanërisht në furnizimin me raketa interceptuese Patriot, për të cilat Ukraina ka nevojë urgjente, ndërsa Rusia ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë në të gjithë territorin ukrainas.
Një zyrtar tjetër evropian tha se NATO nuk kishte konstatuar ende ndonjë ndryshim në programin PURLgjatë fundjavës.
Marrëdhëniet Trump-Zelensky përkeqësohen
Administrata Trump e ka pezulluar edhe më parë shkëmbimin e inteligjencës me Ukrainën, në mars të vitit 2025, pas një përplasjeje të tensionuar mes Trump dhe Zelenskyt në Zyrën Ovale.
Shkëmbimi i informacioneve u rikthye më vonë, pasi Ukraina pranoi një propozim amerikan për armëpushim gjatë bisedimeve në Arabinë Saudite.
Kërcënimet e fundit pritet të komplikojnë edhe më tej marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes Trump dhe Zelenskyt.
Dy liderët janë përplasur ditët e fundit edhe për një marrëveshje të SHBA-së me presidentin rus Vladimir Putin lidhur me furnizimin e tregjeve me naftë dhe karburante ruse.
Sulmet e vazhdueshme të Ukrainës ndaj rafinerive ruse ishin ndër faktorët që ndikuan në vendimin e Trump për të arritur këtë marrëveshje, sipas një zyrtari amerikan.
Trump shkoi edhe më tej gjatë fundjavës, duke sugjeruar se Ukraina duhet të ketë një lider të ri dhe se Zelensky duhet të zëvendësohet.
Top Channel