“Nëse ka shkelje, do të ketë pasoja”/ SHBA shqyrton shkarkimin e ambasadores në Greqi pas akuzave

12/10/2026 07:19

Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e shkarkimit të Kimberly Guilfoyle nga posti i ambasadores së SHBA-së në Greqi, pas një sërë raportimesh që ngrenë akuza për sjellje të pahijshme dhe përfitime të dyshimta gjatë ushtrimit të detyrës.

Një person i njohur me çështjen i tha CNN se Trump po monitoron nga afër raportimet lidhur me Guilfoyle, e cila më herët ka qenë e fejuar për katër vite me djalin e madh të presidentit amerikan, Donald Trump Jr.

Sipas raportimeve, Guilfoyle dyshohet se ka pranuar dhurata luksoze gjatë kohës që shërbente si ambasadore dhe se ka kërkuar para në këmbim të mundësimit të kontakteve me zyrtarë të administratës amerikane, përpara se të konfirmohej zyrtarisht në këtë detyrë.

Raportimet kanë shkaktuar shqetësim te zyrtarë të lartë të administratës Trump, veçanërisht pasi ato u publikuan në të njëjtën kohë kur sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ndodhej në Athinë për një fjalim të rëndësishëm mbi demokracinë perëndimore, të mbajtur në Akropol.

Trump mund të marrë vendim së shpejti

Sipas burimit të CNN, Trump pritet të vendosë së shpejti nëse do ta shkarkojë apo jo Guilfoyle.

I pyetur të premten nga CNN për akuzat ndaj ambasadores, Trump nuk dha një mbështetje të drejtpërdrejtë për të.

“Sapo e dëgjova. Për të ardhur keq. Nuk e di. Sapo dëgjova pak për këtë. Nuk di shumë, por ajo ka qenë gjithmonë shumë e sjellshme”, u shpreh Trump.

Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë ende një koment zyrtar lidhur me akuzat.

Ish-donatori i Trump pretendon se ambasadorja i kërkoi 100 mijë dollarë

Një prej pretendimeve më të bujshme lidhet me Eric Deters, një ish-donator i Trump.

Deters ka deklaruar se Guilfoyle i ka kërkuar përmes një mesazhi që t’i transferonte 100 mijë dollarë, me qëllim shlyerjen e një karte American Express, vetëm pak ditë përpara konfirmimit të saj nga Senati.

Deters tha se në fund nuk ia transferoi shumën, pasi në atë periudhë nuk kishte mjetet financiare të disponueshme.

Avokati i ambasadores i tha Wall Street Journal, e cila raportoi e para për mesazhet, se Guilfoyle kundërshton autenticitetin e tyre.

Sipas personit të njohur me çështjen, Guilfoyle u ka mohuar gjithashtu zyrtarëve të administratës javën e kaluar se i ka dërguar këto mesazhe.

E afërt me familjen Trump

Guilfoyle ka ruajtur marrëdhënie të afërta me familjen Trump. Pas ndarjes nga Donald Trump Jr., ajo u emërua në postin e ambasadores së SHBA-së në Greqi.

Aleatë të presidentit dhe të djalit të tij i thanë CNN se e konsiderojnë situatën “të turpshme”, megjithëse ende nuk është e qartë nëse do të ketë pasoja konkrete për Guilfoyle.

Trump ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk është dakord me raste kur persona të afërt me të përpiqen të përfitojnë financiarisht nga marrëdhënia me të.

Vance: Nuk duhet të gjykohet në “gjykatën e opinionit publik”

Nënpresidenti amerikan JD Vance u tregua i rezervuar të premten kur u pyet nëse Guilfoyle duhet të përballet me pasoja.

Vance tha se nuk dëshironte të “gjykonte njerëzit në gjykatën e opinionit publik”, duke kërkuar që fillimisht të përcaktohet e vërteta.

Megjithatë, ai tha se në përgjithësi është i shqetësuar nga skemat ku individë kërkojnë pagesa në këmbim të aksesit te zyrtarët.

“Sigurisht që nuk më pëlqen që dikush të shesë akses te një zyrtar tjetër qeveritar, veçanërisht te një zyrtar i nivelit të lartë”, deklaroi Vance.

Ai shtoi se duhet pritur për të parë se çfarë ka ndodhur realisht dhe se, nëse rezulton se ka pasur shkelje, atëherë duhet të ketë pasoja.

Top Channel