Thyen bojkotin/ Dhoma e Avokatisë shqyrton masat ndaj avokatëve të Leli Kajës dhe Gerta Gjocit, rrezikohen licencat

09/10/2026 11:47

Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka thirrur në orën 12:00 një mbledhje urgjente të Komitetit Disiplinor, pas thyerjes së bojkotit nga dy avokatët e Leli Kajës dhe Gerta Gjocit në Gjykatën e Posaçme (GJKKO).

Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, në mbledhje pritet të diskutohet çështja e licencave të dy avokatëve, të cilët vendosën të merrnin pjesë në seancat gjyqësore, pavarësisht bojkotit të shpallur nga Dhoma e Avokatëve.

Kjo e fundit ka ndërmarrë bojkotin në shenjë proteste ndaj rregullores së GJKKO-së, për të cilën avokatët pretendojnë se cenon ushtrimin e profesionit të tyre.

Kundërshtime ndaj kësaj rregulloreje kanë shprehur edhe përfaqësues të medias, lidhur me kushtet e aksesit të gazetarëve në gjykatë.

Mbledhja e Komitetit Disiplinor pritet të shqyrtojë qëndrimin e dy avokatëve që thyen bojkotin, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë masa disiplinore ndaj tyre.

Top Channel