Televizionet duan ligj të ri/ E drejta e autorit, transmetuesit kërkojnë qartësi dhe liri në administrim: Duhet të saktësohen rregullat themelore

09/10/2026 16:12

Transmetuesit televizivë kërkojnë një ligj të ri për të drejtën e autorit dhe jo ndryshime në ligjin aktual.

Përmes një deklarate të përbashkët të transmetuesve, në dëgjesën për projektligjin në Komisionin e Kulturës, përfaqësuesi i DigitAlb, Andi Cenko konsideroi më të përshtatshëm një ligj të ri me qëllim më shumë qartësi dhe siguri juridike.

“Projektligji parashikon ndërhyrje në 68 nene dhe 36 shtesa. Në këto kushte, përmasat e ndërhyrjes nuk konsiderohen thjesht si korrigjime apo përmirësime, por një formatim i rëndësishëm i kuadrit ligjor”, tha Andi Cenko, përfaqësues i DigjitAlb.

Duke pranuar nevojat që ka ligji për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga angazhimet e marra në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Cenko kërkoi të bëhet dallimi midis dispozitave të detyrueshme dhe atyre që u janë lënë në dorë vendeve të përfshira në këtë proces.

“Administrimi kolektiv i detyrueshëm duhet të kufizohet vetëm në ato raste që burojnë nga dispozitat detyruese, ndërsa për të tjerat nuk duhet të jetë domosdoshmëri…. Të garantohet parimi i lirisë së mbajtësit të së drejtës për të zgjedhur mënyrën e administrimit të drejtave ekonomike, duke lejuar administrimin kolektiv ose individual, sipas vullnetit të tij të parashikuar”.

Cenko shprehu shqetësim për për nenet që lidhen me administrimin kolektiv, duke kërkuar mbrojtjen e të drejtës së autorit për t’u tërhequr nga administrimi kolektiv.

“Të hiqen ose të rishikohen ndryshimet e pajustifikuara mbi të drejtën e autorit për të tërhequr nga administrimi kolektiv”.

Nga ana tjetër, Brunilda Ajazi nga Drejtoria e të Drejtës së Autorit mbrojti projektligjin, duke argumentuar se bëhet fjalë për raste kur autori nuk mund të heqë dorë nga admnistrimi kolektiv.

“Flasim për disa kategori përdorimesh ku autori nuk është e mundur të largohet. Janë disa të drejta ku autori nuk heq dot dorë ngav administrimi kolektiv për të mos cenuar autorit e veprave të tjera”, tha Brunilda Ajazi, Drejtoria e të Drejtës së Autorit.

Shoqata e Transmetuesve Radiotelevizivë Kabllorë Valorë hodhi akuza për Kombëtar të së Drejtës së Autorit.

“Duhet të saktësohen rregullat themelore financiare, jo t’i lihen një Këshilli. Çdo pjesë financiare nuk duhet t’i lihet në dorë Këshillit të së Drejtës së Autorit. KKDA duhet të shkrihet! Nuk ka dhënë asnjë lloj efekti”, Mustafa Gjinaj, Shoqata RTL.

Kjo ishte seanca e fundit dëgjimore me grupet e interesit para se Komisioni të kalojë projektligjin për miratim.

Top Channel