Kjo që shihni është harta e re administrativo-territoriale e Shqipërisë pas votimit me 85 vota.
Varianti i miratuar në parlament ka si synim primar krijimin e njësive vendore më të mëdha dhe financiarisht më të qëndrueshme.
Kjo synohet të arrihet nga reduktimi i numrit të bashkive nga 61 në 46 ndërsa opozita nuk mundi ta çojë përpara propozimin e pasjes së 100 bashkive.
Me miratimin e këtij projektligji 15 bashki e humbën statusin si njësi të pavarura të vetëqeverisjes vendore.
Megjithë kundërshtimet në dëgjesat publike dhe protesta edhe përpara kryesisë së kuvendit nga qytetarët e këtyre bashkive, ato iu bashkuan bashkive më të mëdha fqinje.
Me hartën e re administrative Tiranës qarkut më të madh në vend i shtohet njësia e re administrative Rinas e cila përfshin fshatin Rinas, aktualisht pjesë e Bashkisë Krujë, si dhe Bërxullën dhe Domjen nga Bashkia Vorë.
Konfigurimi i ri i miratuar nga parlamenti e bashkon Fushë-Arrëzin me Pukën. Bashkia Klos i bashkohet Matin. Rrogozhina do të jetë pjesë e Kavajës. Në qarkun e Beratit, Dimali dhe Poliçani bashkohen me Beratin, ndërsa në qarkun e Fierit, Patosi bashkohet me Fierin.
Divjaka hambari prodhimeve të perimeve aq shumë e promovuar nga ish deputeti i zonës Erion Brace nga sot do të jetë bashkë me Lushnjën.
Në jug të vendit, Selenica bashkohet me Vlorën, Këlcyra me Përmetin, Memaliaj me Tepelenën dhe Libohova me Gjirokastrën. Ndërsa në Juglindje të vendit Maliqi bashkohet me Korçën. Në qarkun e Elbasanit, Cërriku dhe Belshi bashkohen me Elbasanin dhe Përrenjasi me Librazhdin.
Miratimi i hartës ishte faza e parë e avancimit më këtë reformë. Do të duhet ngritja e një tjetri komisioni parlamentar të posaçëm, javën e ardhshme, ku do të diskutohet dhe draftohen kompetencat e bashkive pas këtyre ndryshimeve.
Opozita e bëri të qartë pozicionin e saj për mos të marrë pjesë.
Top Channel