FOTO/ Momente paniku në koncertin e Celine Dion në Paris, këngëtarja e famshme rrëzohet në skenë

09/10/2026 12:56

Këngëtarja e famshme, Celine Dion, ka përjetuar një moment të frikshëm gjatë koncertit të saj në Plenitude Arena në Paris, të mërkurën. 58-vjeçarja u rrëzua në skenë teksa po performonte, por u ngrit menjëherë dhe vazhdoi këngën, duke qetësuar fansat e pranishëm.

Ngjarja u filmua nga një prej spektatorëve, Gary Francq, i cili publikoi pamjet në “Instagram”. Në pamje, artistja shihet duke performuar këngën e saj të vitit 1998, “Dans un autre monde”. Në një moment, ajo kërcen disa herë mbi njërën këmbë, por humbet ekuilibrin dhe bie në dysheme.

Megjithatë, Dion reagoi menjëherë, u ngrit në këmbë dhe u bëri me gishtin e madh fansave, si shenjë se gjithçka ishte në rregull. Më pas, ajo vazhdoi të këndonte dhe të performonte para publikut.

Në një prononcim për Storyful, Francq tha se ishte “shumë i befasuar dhe i shqetësuar” kur pa këngëtaren të rrëzohej, por u impresionua nga fakti që ajo u ngrit dhe vazhdoi të kërcente sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Pavarësisht incidentit, ai e cilësoi mbrëmjen si një përvojë të jashtëzakonshme.

Ndërkohë kujtojmë se rrëzimi vjen vetëm pak javë pas rikthimit emocionues të Celine Dion në skenë, në kuadër të rezidencës së saj muzikore në Paris. Këngëtarja ka qenë duke u përballur me sindromën e personit të ngurtë (stiff person syndrome), një çrregullim i rrallë neurologjik autoimun që shkakton ngurtësim të muskujve dhe spazma të dhimbshme.

Gjatë koncertit të saj të rikthimit, Dion iu drejtua publikut me fjalë emocionuese.

“U premtova se nuk do të qaja. Sonte dua të këndoj për ju, për veten time, për jetën. Erdhi më në fund. Është e mrekullueshme që jemi të gjithë bashkë. Bëra një premtim. Bëra një premtim se do të kthehesha dhe do të isha sërish në skenë”, shtoi këngëtarja, e njohur në mbarë botën për hitin “My Heart Will Go On”.

Ajo falënderoi fansat për mbështetjen dhe durimin e treguar gjatë periudhës së vështirë shëndetësore, duke interpretuar edhe këngën e saj të njohur “Because You Loved Me”.

Top Channel